Forca të shumta të Policisë së Kosovës janë parë në veri të vendit në Zubin Potok, Leposaviç e Zveçan. Kryetari i komunës, Zubin Potok ka tentuar të hyjë në godinë, por qytetarët serbë nuk e kanë lënë. Aty janë parë edhe ish zyrtarë të Policisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb. Raportohet se është lëshuar alarmi në qendër të qytetit të Mitrovicës së Veriut, ku ndodhet komuna dhe stacioni policor.
Në ndërtesat publike të Kosovës është raportuar dhe një prezencë e shtuar e automjeteve dhe personelit të policisë, gjithashtu edhe anëtarë të EULEX-it.
Kjo vjen pas betimit të kryetarëve të sapozgjedhur të komunave të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut. Por, marrja e detyrës nga ata kundërshtohet me forcë nga serbët lokalë në veri të Kosovës dhe nga Lista Serbe e qeveria e Beogradit.