Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka konfirmuar këtë të martë, se nuk do të ketë shtyrje të afatit për targat. Në një deklaratë për mediat, Kurti tha se të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë automjetet me targa të kohës së Millosheviçit, do të mund t’i konvertojnë ato në targa legale.
“Ne tashmë e kemi bërë një shtyrje të afatit më 31 korrik e kemi shtyrë afatin për një muaj, dhe në vend se të jetë data 1 tetor është data 1 nëntor. Të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë automjetet me targa të kohës së Millosheviçit, do të mund t’i konvertojnë ato në targa legale e legjitime RKS”, tha ai.
Po ashtu u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të përkatësisë serbe që ta shfrytëzojnë kohën e mbetur për t’i konvertuar targat ilegale në RKS. Ka qenë SHBA-ja dhe BE-ja, që kanë kërkuar shtyrjen e afatit për targat për 10 muaj, pasi kanë thënë se nuk duan tensionim të situatës në veri.
