Nëse doni që ta ndryshoni thellësisht realitetin, në fillim duhet ta thyeni bashkësinë homogjene në dy blloqe të mëdha, e më pas ti copëzosh ato deri në rimodelin nga e para të së tërës. Kjo teori që është zbatuar në shumë procese të mëdha historike, në fillim ka sjellë ndarje të mëdha shoqërore, por më pas ato kanë rezultuar mënyra më e mirë për të shkuar drejt krijimit të realiteteve të reja cilësisht ndryshe.

Në këtë fazë ndodhet aktualisht PD dhe opozita shqiptare, pas përjashtimit të Sali Berishës nga Grupi Parlamentar i PD, për shkak të shpalljes së tij “non grata” nga SHBA. Vendim i papritur i Lulzim Bashës për shumëkënd, solli ndarjen e bashkësisë relativisht homogjene të së djathtës politike shqiptare, në dy blloqe të mëdha që kanë përqafuar tashmë qëndrime thellësisht të kundërta nga njëra tjetra.

Në bllokun e parë që udhëhiqet nga Lulzim Basha, janë grupuar pjesa më e madhe e deputetëve dhe anëtarëve të strukturave më të larta drejtuese të PD, të cilët i bashkon pragmatizmi për të ecur përpara drejt së ardhmes përmes përqafimit të aleancës me SHBA. Ndërsa në bllokun tjetër, të udhëhequr nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, bëjnë pjesë ata që e mbajnë kokën pas nga e shkuara. Duke u bërë bashkë nga kundërshtarët e reformës në drejtësi, antiamerikanët, berishistët, dumbabistët, e deri tek sovranistët dhe izolacionistët e të gjitha ngjyrave.

Thyerja mes dy blloqeve është aq e madhe, sa ajo po thellohet skëterrshëm çdo ditë e më shumë, duke i bërë të shkojnë gjithmonë e më larg njëri tjetrit. Paralel me këtë proces, ka nisur ndërkohë edhe reaksioni zinxhir i plasaritjes, copëzimit dhe shkërmoqjes në pjesëza gjithmonë e më të vogla, brenda tyre. Shpërbërja e dy blloqeve, po bëhet përmes procesesh kaotike politike, ku gjithkush duke dashur të shpëtojë kokën e tij, po kontribuon pa dashje edhe në shpërbërjen e së tërës.

Ndaj nuk është çudi teksa shihni të hyjnë në lojë njerëz të rinj si Evi Kokalari, apo të rikthehen në skenë përkrah Sali Berishës, edhe ato që u flakën jashtë PD me bekimin e tij nga Lulzim Basha. Emra të tjerë surprizë, të njohur të të panjohur, do shihni poshtë prozhektorëve. Ndërkohë që sfidantët e dikurshëm të Lulzim Bashës, në garën formale për Kreun e ri të PD, i harruan shpejt aleancat fluide. Të tjera lëvizje kanë nisur të ngjizen, për të mbirë në ditët në vijim, si këpurdhat pas shiut.

Menjëherë pas humbjes në zgjedhjet e 25 prillit u bënë bashkë kundër Lulzim Bashës, nga Edith Harxhi, tek Endira Bushati, Bujar Nishani, Ibsen Elezi, Bislim Ahmetaj, Arben Imami, Arben Ristani, Edvin Kulluri, Pirro Ahmetaj tek Indrit Hoxha. Ca prej tyre tani janë në anën e Sali Berishës, e ca të tjerë kundër tij, por pa u bëra gjithësesi me Lulzim Bashën. Ditët e fundit, Fatbardh Kadilli lançoi lëvizjen e tij të re brenda PD të quajtur “Iniciativa Demokratike” të cilën e kanë përqafuar Artan Hoxha, Enno Bozdo, Ivi Kaso etj.

Mark Marku e dorëzoi pa hyrë ende në Parlament, mandatin e deputetit të sapo fituar në zgjedhjet e 25 prillit, ndërkohë që disa të tjerë po duken herë përkrah Sali Berishës, e herë në vathën e Lulzim Bashës në SHQUP. Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi janë në anën e “liderit historik”, ndërkohë që aleatët e tjerë minorë të PD, janë pozicionuar krah Lulzim Bashës. Ndërkohë që të larguarit nga PD për 30 vjet me radhë, ose janë indiferentë, ose po mprehin thikat në prapaskenë.

E sigurtë është se tani ujërat opozitare janë turbulluar më shumë se kurrë më parë në historinë e postkomunizmit. Atë që Sali Berisha nuk e bëri në kohën e duhur, duke dalë vetë nga skena më 2013 për ti hapur rrugën ndërrimit të elitave brenda së djathtës, po ia bën tani me mosikjen e tij. Më kokfortësinë për të qëndruar deri në vdekje në skenë, qoftë edhe duke u kapur me thonj pas fijes së kashtës, me shpresën se do ti mbijetojë cunamit amerikan kundër tij.

Të gjithë liderët politikë të ish Lindjes Komuniste, që udhëhoqën tranzicionin e vendeve të tyre nga diktatura në demokraci pas rrëzimit të Murit të Berlinit, kanë vite që kanë dalë nga jeta politike aktive. Edhe lëvizjet e partitë që ato krijuan e drejtuan, e përfunduan misionin historik, duke iu nënshtruar më pas rrudhjes nga koha apo shpërbërbërjes. Vendet e tyre hynë në BE e NATO, duke nxjerrë në skenë liderë të një brezi të rritur në liri dhe parti të reja politike, për tiu përgjigjur sfidave të shek. XXI.

I vetmi që as nuk iku vetë, e as nuk pranon të iki pasi e përzunë për turp, është Sali Berisha. Me sa duket i ka caktuar vetes misionin, që të shkatërrojë më parë PD e më pas kur të mbetet i fundit, të iki edhe vetë. Mjafton që të vazhdojë siç e ka nisur dhe të jeni të sigurtë, se e ardhmja do të japi për herë të parë në jetën e tij të gjatë politike, plotësisht të drejtë!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here