U desh që Lulzim Basha ta nxirrte jashtë Grupit Parlamentar të PD, pas shpalljes “non grata” nga SHBA, që Sali Berisha ta pranonte për herë të parë publikisht se opozita dhe PD kanë humbur në zgjedhjet e 5 muajve më parë. Pavarësisht se është një deklaratë e thënë nën presionin e hallit më të madh personal të këtyre 30 viteve, “lideri historik” pranoi me gojën e tij një të vërtetë të madhe, duke prishur traditën për të mos e pranuar kurrë humbjen publikisht.

“Miqtë e mi, numëruam për herë të parë mandatin e tretë të Edi Ramës. Ish-Kryetari i Partisë Demokratike tha se është një masakër zgjedhore, ua them me bindje se Edi Rama ka vjedhur si asnjëherë më parë, por zgjedhjet nuk i fitoi PD. Ne ishim pa lider”,- tha Berisha nga “Foltorja” e radhës që mbajti në qytetin e Shkodrës.

E thënë në këtë mënyrë kaq të troçtë, nga ai që konsiderohej si lideri “de facto” i PD dhe opozitës në fushatën elektorale të këtij viti, deklarata mer një vlerë cilësisht tjetër. Edhe kaq do të mjaftonte, për tu thënë liderëve politikë të opozitës, propogandës së tyre, analistëve dhe mediave që i mbrojnë si dhe militatënve që përsërisin qorrazi atë që dëgjojnë e shohin prej tyre: E shikoni pra që PS i ka fituar zgjedhjet?!

Pak rëndësi ka në këtë rast, nëse deklarata e Sali Berishës është bërë për shkak të përplasjeve që ai ka tashmë me Lulzim Bashën, duke kërkuar që ta rrëzojë atë si kryetar të PD përmes rrugës populiste me ndihmën e militantëve në bazë. Për ta defaktorizuar. Për ta delegjitimuar. Për ta deskritituar. Për ta zhbërë. Për ta çmontuar. Për ta eleminuar. Për të zëvendësuar, në mënyrë që të rikthehet sërisht nën kontrollin dhe diktatin e partisë.

Pak rëndësi ka për shqiptarët nëse e vërteta e thënë prej Sali Berishës, është pjesë e një lufte të egër brenda opozitës për pushtet, në kuadër të përpjekjeve të tij për të shpëtuar kokën nga ndëshkimi i SHBA sot dhe nesër, nga ndëshkimi i mundshëm i drejtësisë së re. Më e rëndësishme nga të gjitha këto, është realiteti që ato përcjellin publikisht, pavarësisht se e gjitha kjo bëhet për arsye që nuk kanë fare lidhje me makthet e një lideri në hall.

Ironia në këtë rast është se deklarata e sotme e Sali Berishës, ka ardhur vetëm pak orë pasi Grupi Parlamentar i PD ku ai nuk bën më pjesë, depozitoi në Kuvend kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për këtë proces elektoral. Edhe kaq do të mjaftonte, për ta zhbërë ende pa lindur këtë iniciativë, duke e nxjerrë zbuluar hapin politik të hedhur nga Lulzim Basha. Skenari për të justifikuar përmes kësaj nisme, humbjen historike që PD pësoi nën udhëheqjen e tij për të tretën herë rradhazi, sapo dështoi.

Mjafton që në mbledhjen e parë të Komisionit Hetimor Parlamentar, të thërritet për të dhënë dëshminë e tij Sali Berisha, që kjo çështje të konsiderohet e mbyllur. Nëse ka një vlerë si dëshmitar i besueshëm sot, ai e ka vetëm për këtë çështje, pasi është lideri që ka instaluar kulturën e vjedhjes së zgjedhjeve në Shqipëri përmes procesit të 26 majit 1996. Mjafton që Sali Berisha të rithotë edhe njëherë të vërtetën që pohoi sot dhe kjo çështje të konsiderohet përgjithmonë e mbyllur.

Kësisoj Lulzim Basha po kërkon të bëjë zhurmë sa për spektakël politik dhe jo për të zbardhur të vërtetën rreth fituesit të zgjedhjeve 2021, e cila tashmë është e qartë si drita të diellit. Duke dashur që të dëmtojë sa më shumë Lulzim Bashën, Sali Berisha sapo i bëri një shërbim të fundit shqiptarëve, duke e pranuar me gojën e tij se Edi Rama është një kryeministër legjitim, i një mazhorance legjitime. Një e vërtetë e çertifikuar edhe nga KQZ, edhe nga shqiptarët, edhe nga ndërkombëtarët!

Të dashur opozitarë që sot mbështesni Lulzim Bashën, dëgjojeni edhe këtë herë Sali Berishën, se nuk flet gjithmonë kot ai. Sidomos kur është në hallin e jetës, si tani. E shikoni pra, që nuk paskeni fituar më 25 prill?! Natën e mirë dhe Zoti ju rujt!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here