Palët politike opozitare të tryezës për reformën e re elektorale, po “përkëdhelen” për të fituar kohë deri në minutën e fundit, kur të arrihet tek drafti konsensual final. Janë ditët dhe orët, që na kujtojnë fundin e një filmi me të njëjtin skenar, të parë shumë herë gjatë këtyre 30 viteve në Shqipëri. E ndërkohë që vëmendja e opinionit publik, është fokusuar tek ndryshimi ose jo i sistemit zgjedhor, në lojë janë futur të gjitha palët politike edhe ambasadorët e SHBA e BE në Tiranë.

“Do shpall datën e zgjedhjeve të ardhshme, me ose pa konsensus! Le të futet kush të dojë”, deklaroi Presidenti i Republikës Ilir Meta orët e fundit. E bashkë me të, duke dashur të vërtetojë shprehjen e njohur se “ku ka zë nuk është pa gjë”, shtoi se “do kaloj tani më pak kohë me Tiranën politike dhe do ti përkushtohem më shumë Shqipërisë së njerëzve të thjeshtë”. Që do të thotë, do të fillojë turin politik nëpër qytetet dhe fshatrat e vendit, në përgatitje të krijimit të partisë së tij të re politike!

Kjo pjesë e opozitës, pas shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar, e ka nisur turin parapërgatitor tashmë. Përmes drejtuesve të Aleancës për Mbrojtjen e saj, nëpër disa nga qytetet e Shqipërisë. Me pretekstin e mbledhjes së firmave nga qytetarët, me aq sa tregojnë pamjet filmike të transmetuara në mediat e Tiranës, po priten gjithnjë e më vakët. Çka do të thotë se qytetarët që mund të të mbështesin deri diku për një kauzë kulturore, me sa duket edhe në këtë rast, nuk mund të pranojnë që të përdoren për lojërat politike që kanë nisur të luhen.

Ndërsa linja tjetër opozitare, e përbërë nga partitë e koalicionit të “Opozitës së Bashkuar”, që drejtohen nga Lulzim Basha kanë filluar që të takohen në mënyrë më frekuente, për të qenë me sa duket, gjithnjë e më pranë të rejave rreth zhvillimeve që kanë të bëjnë me reformën elektorale. Ajo që duket nga jashtë, është se liderët e partive të vogla, më shumë janë të interesuar të jenë nesër sërisht pjesë e listave të Partisë Demokratike. Ndaj ende nuk janë të prerë e të zëshëm për ndryshimin e sitemit aktual zgjedhor, për të cilën Lulzim Basha dhe PD deri tani po bëjnë lojën e “shrudhmemecit”.

Ajo që është shumë më e qartë pas kësaj, është roli dhe pozicioni i Presidentit të Replikës. “E zëmë se palët nuk ranë dakord. Unë do shikoj nëse është në përputhje me Kushtetutën. Në hapësirën kohore që Kodi do më lejojë me konsensus apo jo, do shpall ditën e ardhshme të zgjedhjeve të përgjithshme, sepse të gjithë presin këtë, por edhe sado pak më legjitim një parlament se sa ky që është”,- është shprehur Ilir Meta. Gjë që tregon më së miri padurimin e tij dhe të palëve të tjera opozitare pranë tij, për të shkuar sa më parë që ta lejojë ligji i ri elektoral, drejt zgjedhjeve të reja.

Ky padurim ka nisur që të reflektohet edhe tek propaganda opozitare dhe mediat pranë tyre, të cilat më shumë sesa për çështjet e tjera që ndoshta mund të meritonin më shumë vëmendje dhe hapësirë aktualisht, po flasin gjithnjë e më tepër për një klimë të re zgjedhore. E cila duhet thënë qartë që në fillim, se është e rreme. Është një zhurmë e parakohëshme.

Eshtë një pritshmëri përtej realitetit konkret. Sepse zgjedhjet e radhës do të shpallen si gjithmonë nga Kreu i Shtetit, plot 9 muaj përpara datës së mbarimit të mandatit të Kuvendit të Shqipërisë. E kjo është diku ndërmjet fundit të dhjetorit të këtij viti dhe fillimit të janarit 2021.

Në këto kushte, nuk duhet ngatërruar debati real dhe pritshmëritë e të gjithëve rreth reformës elektorale në tërësi. Rreth konsensusit ose jo të të gjitha palëve politike mbi të. Rreth reflektimit në draftin final të të gjitha rekomandimeve të OSBE/ ODIHR-it. Rreth ndryshimit ose jo të sistemit zgjedhor në Shqipëri, e kështu me radhë. Diskutimi i deritanishëm rreth një modeli të ri të ofruar në tryezë nga Ambasadorja e SHBA dhe e mbështetur nga Rudina Hajdari është fakt. Në orët në vijim pritet që të debatohet më shumë rreth tij. Ashtu si për të gjitha çështjet e tjera, edhe në këtë pike, nëse ka konsensus mes të gjitha palëve çdo gjë është e mundur.

E vetmja gjë e pamundur është të ketë zgjedhje të parakohëshme. Ndaj në të gjithë këtë histori, është e kotë që të ushqesh opinion, militantët, mbështetësit dhe përkrahësit me pritshmëri të paqena. Siç është e tillë, edhe kjo e dalldisjes e rremë virtuale, për gjoja zgjedhje të afërta në Shqipëri.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here