Kapja e një “Peshku të Madh” me anë të rrjetës së institucioneve të reja të drejtësisë, dukej e largët dhe e pamundur deri dje, ndërsa sot është realitet. Ish Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, u dënua me 2 vite burg, 5 vjet përjashtim nga funksionet publike dhe konfiskim të pasurive, nga Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO).

Emri i tij hyri kështu në histori si ish zyrtari i parë i lartë, që dënohet me një vendim të formës së prerë, nga struktura e posaçme e sistemit të drejtësisë së reformuar. Kur e di pikënisjen dhe dinamikën e zhvillimeve që sollën tek ky përfundim, e gjitha duke si kronologjia një dënimi të paralajmëruar. Sepse nuk duhet harruar që Adriatik Llalla ishte i pari që u shpall “non grata” në 2018, nga Departamenti Amerikan i Shtetit, për përfshirje në raste madhore korrupsioni gjatë kohës së ushtrimit të detyrës.

Ata që u tallën gjatë këtyre viteve, si me nisjen e punës ashtu edhe me implementimin e “Reformës në Drejtësi”, është koha që të kërkojnë falje ose të heshtin. Jo aq për mungesën e realizmit dhe largpamësisë së tyre, por për shkak të paragjykimit dashakeq dhe me koshiencë, që i bënë një reforme të thellë të shtetformimit tonë modern që po mbështetej pa rezerva nga SHBA dhe BE.

Pak rëndësi ka në këtë moment, nëse Adriatik Llalla është sëmurë apo u largua nga Shqipëria, duke qenë shyqyr shëndoshë e mirë si një nga ato kokrrat e mollëve që do rriteshin në fermën e tij imagjinare. Ashtu siç drejtësia vonoi por nuk harroi për të, edhe vuajtjes së dënimit si gjithkush tjetër, ai nuk i shmanget dot. Me aktin e “arratisjes” përmes stacionit të trenit në Romë, flamurmbajtësi i sistemit të vjetër sapo i tregoi çdo shqiptari e ndërkombëtari, se përse ishte kaq jetike Reforma në Drejtësi.

Ironia e fatit e desh që vendimi për dënimin e Adriatik Llallës, të jepej në të njëjtën ditë, me atë për shkarkimin e Prokurorit Dritan Gina, nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK). Bashkëshorti i Rovena Gashit, ish bashkëpunëtores më të afërt të Adriatik Lallës në kupolën e Prokurorisë së Përgjithëshme, nuk e kaloi dot vettingun.

E Mërkura e 22 shtatorit 2021, do kujtohet gjatë si një ditë e mirë për sistemin e ri të drejtësisë, që solli lajme të shumëpritura për të gjitha ata që kontribuan dhe besuan deri në fund në ngritjen dhe funksionimin e institucioneve të saj. Megjithëse i jashtëzakonshëm, ky është vetëm një “hap i vogël”, përpara hopit të madh cilësor që presin shqiptarët në këtë drejtim.

Aq e vërtetë është kjo, sa nuk do jetë çudi nesër që “Peshku i Madh” Adriatik Llalla, të na duket thjeshtë si një “cironkë” na ato që përdoren sa për karrem. Sepse tani është radha e “balenave” dhe “peshkaqenëve” të korrupsionit të lartë politik, që në 30 vitet e fundit kurrë nuk u goditën, për shkak se instaluan kulturën e pandëshkueshmërisë për vete, familjarët dhe bashkëpunëtorët e tyre më të ngushtë.

E rëndësishm është që zaret u hodhën dhe loja e filluar për të ndëshkuar të paprekshit e deridjeshëm, nuk do të ndalet më kurrë. Ish zyrtarët e lartë që i kanë shpëtuar deri tani ndëshkimit dhe ata që bëjnë pjesë në listën e zezë të SHBA, mund ta përdorin pas kësaj pa frikë vendimin e gjykatës për Adriatik Llallën si, një pasqyrë për të parë të ardhmen e tyre përballë sistemit të ri të drejtësisë.

Pas kësaj, çdokush e kupton më qartë, se përse liderët e vjetër politikë bënë gjithçka për ta penguar dhe mundësisht për ta zhbërë reformën në drejtësi. Flakadanët, tymueset, çizmet, letrat, vezët dhe boja që u hodhën në sallën e Parlamentit gjatë seancës për shkarkimin e Adriatik Llallës si Prokuror i Republikës, nuk ishin për të. Heshtja e tyre e sotme si prej varri, flet vetë, më shumë se gjithçka tjetër.

Duke bërë atëherë sikur po mbronin “kukullën” e keqpërdorur prej tyre, liderët e opozitës donin në fakt dëshpërimisht, që të vononin atë proces të pandalshëm që po e sjell radhën e punëve të drejtësisë me shpejtësi drejt tyre. “Non grata” apo jo, rasti i Adriatik Llallës tregoi se, askush nuk mund ti shpëtojë dot më ndëshkimit të drejtësisë së re. Ajo nga sot, ia ka futur deri në palcë, frikën fajtorëve!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here