Këtë të martë, kreu i komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj prezantoi kandidaten për kryetare bashkie në Vaun e Dejës, Klomentina Drinin. Në fjalën e tij, Alibeaj ka sulmuar klasën politike në vend, konkretisht Berishën, Metën dhe Ramën. Ai shtoi edhe se për 33 vite këto fosile politike janë ulur këmbëkryq dhe kanë marrë peng fatet e shqiptarëve.
“Japin e marrin me njëri tjetrin në një aleancë okulte. Njëri që ka rikthyer dhe një herë simptomat e dikurshme të sistemit dikatorial, mungesë shprese, mungesë lirie. Goditje ndaj biznesit. Neveri ndaj të rinjve. Dëbimi ndaj tyre. Mungesa e ligjit. Mungesa e shtetit të së drejtës. Refuzimi, izolimi. E nga ana tjetër një pjesë tjetër. Atë që deri dje ne i konsideronim lider historik, është Sali Berisha. I cili nuk bëri asgjë tjetër, është varka e shpëtimit e këtij sistemi. Ka bërë atë që e ka çuar një pjesë të demokratëve, i ka marrë dhe i ka çuar në sqetullën e Ilir Metajt. Një pazarxhiu politik. E pra miq, vëllezër, motra, prindër. Ky është sistemi sot. Kjo është panorama dhe fotografia bezhë. Kaq e zymtë që Shqipëria sot vuan. Kjo është arsyeja se përse njerëzit ikin, kjo është arsyeja sepse shqiptarët sot jane më të pezmatuar se kurrë”,-tha Alibeaj.
Ka qenë kjo Bashki që ka nxjerrë zbuluar përçarjen në Partinë Demokratike. Kjo sepse më herët Gazment Bardhi ka shkuar dhe ka prezantuar Zef Hilën si kandidat i PD-së më 14 maj, edhe pse i regjistruar zyrtarisht nën logon e koalicionit “Bashkë Fitojmë”.