Gjatë ditës së sotme pritet që deputeti socialist Alqi Bllako t’i paraqesë Kryetares së Kuvendit dorëzimin e mandatit si deputet i Republikës së Shqipërisë dhe të vihet përballë akuzave që i janë bërë si një qytetar i thjeshtë.
Alqi Bllako po dorëzon mandatin e tij të deputetit pasi SPAK ka lëshuar një urdhër-arrest për të duke e akuzuar si të përfshirë në aferën e Inceneratorëve. Në një postim të tijin të bërë dje, Bllako shkruan se një proces i drejtë do të provojë pafajësinë e tij, ndërkohë që nga ana tjetër, SPAK argumenton se deputeti ka përfituar para në vlera të mëdha për tjetërsimin e pronës për të ndërtuar Incenerator.
Theksojmë se pas inceneratorit të Elbasanit, hetimet e prokurorisë së posaçme kanë çuar në goditjen e zyrtarëve të përfshirë dhe në inceneratorin e Fierit. Përveç anëtarëve të komisioneve të prokurimit, ish administratorit në Fier, drejtorit të Albpetrolit dhe një zyrtari lokal, emri më i spikatur është ai i deputetit socialist Alqi Bllako. Për këtë të fundit, SPAK-u pret vendimin e parlamentit, për të marrë autorizimin për ta arrestuar.
Duke i’u referuar Prokurorisë së Posaçme, në funksionin e tij si Sekretar i Përgjithshëm, i Ministrisë së Mjedisit dhe më pas Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve, ai dyshohet se ka favorizuar shoqërinë përfituese të koncensionit, në këmbim “të përfitimeve të parregullta” me një vlerë prej afro 150 mijë dollarë. Për pasojë nën sekuestro ka përfunduar një apartament, me sipërfaqe 99.48 m2, në Tiranë, në pronësi të babait të deputetit Bllako, i punësuar nga kompanitë e inceneratorëve.
Gjithashtu, Alqi Bllako akuzohet se në bashkëpunim me Kryetarin e Komisionit të Shpronësimit, Pëllumb Abeshi, dhe me ish Ministrin e Mjedisit Lefter Koka kanë përgatitur dokumentacion të falsifikuar në lidhje me të dhënat e pronës së shpronësuar, për ndërtimin e inceneratorit të Fierit, duke ndryshuar cilësimin nga “arë” në “tokë truall”, me pasojë një dëm ekonomik prej afro 160 mijë dollarësh.
Postimi i plotë Bllakos ditën e djeshme:
Të nderuar miq!
Natyrisht jam i tronditur nga kërkesa e SPAK-ut për ndalimin tim. Kam bindjen e thellë që një proces i paparagjykuar dhe i drejtë do ta provonte lehtësisht pafajësinë time; me bindjen e palëkundur se as kam shkelur kurrë ligjet e vendit e madje as kam thyer kurrë etikën e detyrës që kam ushtruar!
Sidoqoftë, nuk ka arsye të angazhohet Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për këtë çështje dhe as nuk dua të përfitoj apo të më ofrohet një trajtim ndryshe nga çdo qytetar tjetër i vendit tonë.
Unë nuk kam mburojë mandatin e deputetit, por të vërtetën për pafajësinë time. Këtë do ta provoj në gjykatë dhe përpara opinionit publik.
Prandaj kam vendosur që ditën e nesërme t’i paraqes Kryetares së Kuvendit dorëzimin e mandatit tim si deputet i Republikës së Shqipërisë, dhe të përballem me akuzën pa asnjë privilegj. Si një qytetar i zakonshëm, si prind dhe familjar i përgjegjshëm; dhe mbi të gjitha si një shërbëtor publik, që padyshim e kupton se çdo angazhim vjen edhe me çmimin e përbaltjes politike apo edhe me detyrimin e sqarimit të së vërtetës para drejtësisë!
Ju jam thellësisht mirënjohës për mbështetjen!
Mezi pres t’u provoj të vërtetën dhe të drejtën e pastër miqve, dhe padyshim armiqve!
