Alternativa Shqiptare, si pjesë e Listës Shqiptare, është kundër rrëzimit të Qeverisë së Dritan Abazoviç.
Kështu ka bërë të ditur kreu i Alternativës Shqiptare dhe kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjelosaj.
“Edhe pse nuk kemi përkrahur nënshkrimin e Marrëveshjes Themeltare me Kishën Ortodokse Serbe, mendoj që është e palogjikshme rrëzimi i Qeverisë pikërisht për shkak të kësaj marrëveshjeje, kjo për medimin tim është irracionale dhe e dëmshme për shtetin e Malit të Zi”.
Pse po bëhet mocioni i mosbesimit për qeverinë e Abazoviç?
Disa parti opozitare në Mal të Zi paraqitën një mocion mosbesimi pasi Abazoviç, pasi pa njoftim paraprak, nënshkroi Marrëveshjen Themeltare me Kishën Ortodokse Serbe në Podgoricë në fillim të gushtit.
Në sqarim e tyre thuhet se Qeveria ka pasur detyrë prioritare që të krijojë parakushtet për intensifikimin e procesit të integrimit evropian të Malit të Zi, bazuar në reformat e sistemit gjyqësor dhe forcimin e sundimit të ligjit.
Për të rrëzuar Qeverinë, e cila deri më tani ka funksionuar si pakicë, janë të nevojshme votat e të paktën 41 deputetëve, nga gjithsej 81 sa janë në Kuvend.
Një pjesë e partive nuk kanë qëndrim të qartë.
Është e paqartë se cili do të jetë epilogu i seancës parlamentare, sepse Fronti Demokratik, pro-serb dhe pro-rus, Demokratët e Alleksa Beçiqit, Partia Boshnjake dhe as një pjesë e partive kombëtare shqiptare, nuk kanë qëndrim të qartë rreth nismës për rrëzimin e Qeverisë.
Një pjesë e votave të tyre – të paktën pesë – nevojiten për rrëzimin e Qeverisë.
Vetë kryeministri Abazoviç, nuk ka mundur të deklarojë me siguri nëse Qeveria do të mbijetojë apo do të rrëzohet në këtë seancë parlamentare.
Ai vazhdimisht ka paralajmëruar se nëse Qeveria “i mbijeton votës”, është i gatshëm që të nesërmen të rindërtojë Qeverinë, në marrëveshje me Frontin Demokratik, që aktualisht është në opozitë, si dhe me demokratët e partitë tjera që duan të përfshihen në udhëheqësi.