Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) ka reaguar ndaj akuzave të Partisë Demokratike për monopolizim të tregut audioviziv, lidhur me pretendimet për rritje të çmimeve dhe ndërprerje të sinjalit për operatorët kabllorë.
Në një deklaratë për mediat, AMA kundërshton pretendimin e PD-së se 65 operatorë kabllorë po përballen me ndryshime të kushteve kontraktuale. Sipas autoritetit, në fakt vetëm pesë operatorë nuk kanë arritur ende marrëveshje tregtare me DigitAlb dhe Tring për të drejtat përkatëse të transmetimit.
“Faktet duhen lexuar në tërësinë e tyre, jo të përdoren në mënyrë selektive”, thuhet në reagimin e AMA-s.
Sipas autoritetit, në Shqipëri janë 84 subjekte të autorizuara për përsëritjen e shërbimeve audiovizive, ndërsa vetëm pesë prej tyre nuk kanë arritur ende marrëveshje me DigitAlb dhe Tring.
AMA thekson se tre nga këto pesë subjekte janë konstatuar dhe gjobitur për pirateri televizive, ndërsa një tjetër administrohet nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
AMA: Mbrojtja e konkurrencës nuk justifikon piraterinë
Në përgjigje të akuzave të opozitës, AMA thekson se “mbrojtja e konkurrencës nuk mund të përdoret si argument për të relativizuar piraterinë”.
Sipas autoritetit, çështja është trajtuar dhe vijon të trajtohet brenda përgjegjësive ligjore, ndërsa nga faktet e administruara deri tani nuk rezultojnë elemente që të provojnë kufizim të konkurrencës apo mosveprim institucional lidhur me pesë subjektet që ende nuk kanë marrëveshje.
“ASNJË subjekt nuk mund të kërkojë mbrojtjen e ligjit duke anashkaluar shkeljet e veta”, thuhet në deklaratë.
AMA bën me dije gjithashtu se, sipas komunikimeve me bartësit e të drejtave, DigitAlb dhe Tring, afati i marrëveshjeve tregtare me subjektet ripërsëritës është zgjatur deri më 31 korrik 2026.
Sipas informacionit të përcjellë nga këto dy kompani, marrëveshje janë arritur me 79 subjekte.
AMA: Në qendër duhet të jetë konsumatori
Autoriteti i Mediave Audiovizive thekson se debati për konkurrencën në tregun audioviziv nuk duhet të fokusohet vetëm te numri i operatorëve, kontratat apo përqindjet e tregut, por edhe te produkti që merr konsumatori.
Sipas AMA-s, konkurrenca nuk matet vetëm me numrin e kompanive që shpërndajnë një sinjal, por edhe me zgjedhjen, cilësinë, teknologjinë, sigurinë e shërbimit dhe përmbajtjen që konsumatori merr në këmbim të pagesës.
Në deklaratë argumentohet se transmetimi i një ndeshjeje, filmi, seriali, kanali për fëmijë apo produksioni shqiptar lidhet me të drejta transmetimi, investime, teknologji dhe punën e subjekteve që e prodhojnë ose e sjellin ligjërisht për publikun.
AMA thekson se qytetarët shqiptarë kanë mundësi të zgjedhin shërbime televizive me pagesë si DigitAlb dhe Tring, krahas kanaleve kombëtare pa pagesë dhe alternativave të tjera të ligjshme të konsumit audioviziv.
Sipas autoritetit, ajo që duhet mbrojtur është zgjedhja e konsumatorit dhe një treg ku investimi në përmbajtje shpërblehet, ndërsa pirateria nuk normalizohet.
“Një treg ku investimi në përmbajtje shpërblehet, pirateria nuk normalizohet dhe qytetari zgjedh vetë se cilin produkt dëshiron të paguajë”, përfundon AMA në reagimin e saj.
