Autoriteti i Mediave Audiovizive i tërheq vëmendjen televizioneve të mos “tallen” me figurat historike. Shkak për këtë është transmetimi i të dielës në Tv Klan në rubrikën “Be Coffee” me figurën e Mujo Ulqinakut.
Sipas AMA-s, “akti i rezistencës dhe kontributi me sakrificën më sublime nga dëshmori Mujo Ulqinaku në momente tragjike për vendin, dukshëm ka marrë vlerësime të papërshtatshme dhe joetike nga autorët dhe aktorët e materialit humoristik. Përmendja me emër dhe mbiemër e tij në një krijim artistik dhe karakterizimi me nota qesharake e cinike shkojnë në favor të denigrimit për ata që konkretisht kontribuuan në mbrojtje të atdheut”.
Institucioni vëren më tej se vlerëson “përfshirjen e përmbajtjeve humoristike dhe satirike në dobi të argëtimit dhe zbavitjes së ndjekësve të transmetimeve audiovizive, por kërkojmë dhe mirëkuptimin e krijuesve dhe aktorëve, për të mos tejkaluar normat etike, që shkaktojnë reagime negative në publik, sidomos në rastet e figurave historike dhe kombëtare”.
Për AMA, mediat duhet të kenë në konsideratë shmangien e krijimit të situatave të papërshtatshme që zbehin dhe nënvlerësojnë rolin, kontributin dhe nderimin e figurave historike të kombit.