Prifti i Kishës Katolike Mat, Don Gianfranco Cadenelli, “Qytetar Nderi i Bashkisë Mat”, ndërroi jetë sonte, në Kishën e Suçit, Mat.
“Jemi të pikëlluar t’ju japim lajmin se sonte në mbrëmje, don Gianfranco Cadenelli, doni ynë shumë i dashur, ka vdekur, pas një viti shumë të mundimshëm përballjeje me tumorin. Kjo humbje është një trishtim i madh për familjen tonë dioqezane. Ju kërkojmë të luteni për shpirtin e don Gianfrancos dhe për të gjithë ne. Detajet rreth ceremonisë së tij mortore do t’jua tregojmë nesër. Jepja o Zot pushimin e pasosur e i shndrittë drita e pambaruar! Pushoftë në paqe! Amen!”, shkruan në njoftimin e saj Dioqeza Rrëshen.
Don Gianfranco Cadenelli është lindur në Brescia të Italisë me 25 Tetor 1955. Është diplomuar për filozofi dhe teologji në vitin 1979. Eshtë shuguruar prift në moshën 23 vjeçare. Për 10 vite ka punuar me të rinjtë në vendlindje dhe për 13 vite si zëvendës rektor i seminarit dioqezan të Brescias.
Misionari bujar erdhi në në Mat 22 vite më parë në Kishën Katolike Suç. Ai është shpallur “Qytetar Nderi” nga ish komunat Suç e Baz si dhe nga Bashkia Klos.
Don Gianfranco Cadenelli ka marrë nënshtetësinë shqiptare pesë vite më parë. Ai është shquar për humanizimin e treguar për banorët e Matit. Sakaq lidhjet e tij me institucionet vendore kanë qenë mjaft të ngushta.
Miq të don Gianfranco Cadenelli tregojnë se kleriku i ardhur nga matanë detit sapo doli nga spitali në Itali erdhi në Mat, në gjendje jo të mirë, Thuhet se ai ka deklaruar se dëshironte të varrosej në Mat, aty ku shërbeu me shumë dashuri, bujari, sinqeritet.