Ambasadorët e SHBA, BE dhe Britanisë së Madhe do të jenë pasditen e sotme në një takim me kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha.
Mësohet se takimi do të mbahet në orën 15.00 në selinë blu e ku të pranishëm do të jenë Leyla Moses-Ones, Luigi Soreca dhe Duncan Norman. Ndërsa krahas Bashës pritet të jenë dhe Petrit Vasili i LSI-së dhe Oerd Bylykbashi, dy përfaqësuesit e opozitës jashtë parlamentare në Këshillin Politik.
Dje opozita bëri të ditura dy qëndrimet e saj në Këshillin Politik. Opozita propozon të merret mendimi i OSBE/ODIHR për çështjen e koalicioneve. Ndërkohë Gjiknuri i ka bërë ftesë që deri të premten të sjellin propozimet për pragun kombëtar zgjedhor, afatet e paraqitjes së listës unike nga aleancat dhe si do të kryhet aspekti procedurial i votimit për kandidatët në lista të hapura.
Opozita e Bashkuar i kundërshton ndryshimet kushtetuese dhe nuk do një implementim të tyre për shkak se ndalohen koalicionet. Por një tjetër kusht është vendosur nga kampi opozitar, që listat e hapura të jenë 100% dhe jo 75%. Mazhoranca po ashtu nuk bën mbrapa me mendimin se Listat e Hapura 100% prekin kuotat gjinore ndërsa koalicionet parazgjedhore nuk realizohen dot në to.