Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka zbardhur zyrtarisht takimin që ambasadorja Yuri Kim zhvilloi me kreun e KQZ Ilirjan Celibashi dhe deputetët Damian Gjiknuri, Jorida Tabaku dhe Monika Kryemadhi.
Në këtë takim, ambasadorja Kim shprehu shqetësimin për financimet e fshehta ruse në politikën shqiptare, të cilat i konsideron rrezik për demokracinë.
“Ambasadorja e SHBA Yuri Kim u takua me Kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi dhe përfaqësues të partive politike sot për të diskutuar kërcënimin serioz të financimeve të fshehta politike ruse si dhe kanosjen që kjo paraqet për demokracinë dhe përpjekjet anti-korrupsion. Kërcënimi i financimit të fshehtë politik rus nënvizon rëndësinë që ka rritja e transparencës në financimin e fushatave, regjistrimi i enteve të huaja, si dhe masat për të identifikuar dhe parandaluar pastrimin e parave. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me partnerë në të gjitha institucionet demokratike të Shqipërisë për mbrojtjen ndaj këtyre kërcënimeve”.