Ambasadorja e Shqipërisë në SHBA, Floreta Faber ka rezultuar pozitive me COVID-19. Përmes një postimi në Facebook ajo thotë se ka kryer testin për koronavirusin sapo është kthyer nga Shqipëria në SHBA dhe rezultoi pozitive.
Ajo thotë se ka zhvilluar shumë takime pune me zyrtarë, kolegë, shokë e miq dhe nuk mund t’i njoftojë dot një nga një, teksa shton se në çdo ambient ka qenë me maskë dhe ka ruajtur distancën.
MESAZHI I ZNJ. FABER
Të dashur miq,
Sot u ktheva nga Shqipëria pas një udhëtimi pune dhe pasdreke arrita në Uashington.
Sapo zbrita në aeroport, si masë profilaktike bëra testin e Covid-19.
Përgjigja ishte POZITIV
Ju njoftoj nëpërmjet këtij mesazhi, pasi këto ditë kam zhvilluar shumë takime pune me mjaft zyrtar dhe kolegë, si dhe kam takuar pa fund shokë e miq, familjarë dhe njerëz të afërm, të cilët nuk i njoftoj dot një nga një.
Unë u testova negativ ditën kur u nisa drejt Shqipërisë. Në çdo ambient apo takim, zyrtarë apo miqësor, kam mbajtur maskë dhe kam ruajtur distancën e kërkuar, por qartësisht jo mjaftueshëm.
Mos i hiqni në asnjë moment maskat
Uroj më të mirën për secilin nga ju!
