Nga Albatros Rexhaj
Akuzat përsëriten çdo ditë. Provat ende priten. Deri atëherë, gjykimi i një kryeministri duhet të nisë nga ajo që ndërtoi, jo nga ajo që kundërshtarët e tij thonë për të.
Ka një Shqipëri që brezi im e mban mend pa pasur nevojë ta kërkojë në arkiva. Ishte vendi ku asfalti mbaronte aty ku fillonte balta, ku drita ikte në mbrëmje sikur me inat, ku një udhëtim nga jugu në veri matej me ditë e me lutje, jo me orë. Ishte vendi ku këpucët griseshin para se të mbërrije diku, sepse rruga vetë ishte armike. Kush e ka harruar atë Shqipëri, ose nuk e ka jetuar, ose ka interes ta harrojë.
E nis nga aty me qëllim. Sepse çdo gjykim mbi një njeri që ka qeverisur mbi një dekadë duhet të nisë nga pika ku e mori vendin, jo nga pika ku ne do të donim të ishte sot.
Tani thonë se është i korruptuar. E thonë në shesh, e thonë në studio, e shkruajnë nën çdo fotografi që u bie në dorë. Rama hajdut. Rama nuk ndërtoi asgjë. Rama mori gjithçka për vete. E kam dëgjuar aq shumë herë sa fjala ka humbur peshën që dikur e bënte akuzë, dhe është bërë refren. Refrenet nuk provojnë asgjë. Ato vetëm përsëriten derisa veshi i pranon si të vërteta nga lodhja, jo nga bindja.
Po e them qartë, me emrin tim, pa ia bërë qejfin askujt dhe pa pritur që ndokush të ma falë: Rama nuk është i korruptuar.
E di se çfarë do të vijë pas kësaj fjalie. Do të vijë lista. Zvërneci, sekuestrot, dosjet, emrat e huaj. Po unë kam ndërtuar çdo gjë që kam shkruar mbi një parim të vetëm, dhe nuk do ta braktis sot vetëm sepse më vjen për dore: akuza nuk është verdikt. Dyshimi nuk është provë. Një njeri nuk bëhet hajdut sepse kundërshtarët e tij e quajnë hajdut në orarin më të shikuar të mbrëmjes. Deri në ditën kur dikush të sjellë prova dhe jo slogane, unë refuzoj ta quaj të korruptuar.
Po, ka ministra e zyrtarë me akuza. Mirë, le të vijnë. Le të presim e le të shohim nëse kjo drejtësi që e quajmë të re është vërtet e re, apo thjesht fytyra e vjetër e larë me ujë të ftohtë. Le të shohim nëse edhe atje, pas zyrave të reja dhe fjalëve të mëdha, fshihen prokurorë që njërin e ndjekin gjer në frymën e fundit dhe tjetrin e harrojnë me dashje, të joshur nga interesa që s’kanë asnjë lidhje me misionin që një popull i tërë ua besoi. Por edhe sikur çdo ministër të dilte me një dosje në dorë e të dënohej, kjo nuk e prek Ramën. Sepse kush e do një vend e ndërton atë me njerëzit që ka, jo me njerëzit që ëndërron. Dhe dashuria, kudo që shkon, e ka të njëjtin fat: të bën të besosh, dhe të besosh do të thotë t’ia lësh derën hapur edhe atij që një ditë do të të tradhtojë. Të kesh zgjedhur njeriun e gabuar nuk është vjedhje. Është plagë. Dhe plaga, ndryshe nga vjedhja, nuk dënohet në asnjë gjykatë, sepse vjen nga zemra, jo nga dora.
Por le ta lëmë fjalën korrupsion aty ku e meriton, te vogëlsia e saj, dhe të kalojmë te pyetja e vërtetë, ajo që askush në shesh nuk dëshiron ta bëjë sepse përgjigja e prish festën.
Pyetja është: çfarë u ndërtua, dhe në cilën fazë u çua vendi?
Asnjë shtet në botë nuk është ngritur përnjëherësh në mirëqenie. Kjo nuk është mendim, është histori. Së pari ndërtohet baza, infrastruktura, kapitali, lidhja fizike mes njerëzve dhe tregjeve. Pastaj kjo bazë e forcon shtetin si strukturë, e bën aparatin të aftë të mbledhë, të shpërndajë, të mbrojë. Dhe vetëm në fund, mbi këtë dysheme prej betoni e institucionesh, vjen faza e tretë, ajo që e ndien njeriu i thjeshtë në xhep, mirëqenia për të gjithë. Vendet që njohim si të suksesshme i kaluan këto faza me radhë, dhe asnjëherë pa një figurë që mbajti mbi shpinë peshën e fazës më të padukshme, asaj që ndërton themelin që askush nuk e fotografon.
Shqipëria sot e ka bazën, nukleusin e domosdoshëm strategjik. Ka rrugët, ka lidhjet, ka një strukturë shteti që njëzet vjet më parë ishte ëndërr. Kjo nuk u bë vetë. Kjo Shqipëri e re, me të gjitha të metat e saj, dhe ka të meta, është foshnja e dikujt. Lindi nga dikush. Dhe ai dikush nuk janë ata që sot rrinë në radhët e para të sheshit duke pritur që foshnja të rritet vetë sa për t’ia marrë në krahë para fotografëve.
Sepse këtu fshihet mizoria, dhe e përdor fjalën me vetëdije.
Ata e dinë që baza është hedhur. E dinë që faza e vështirë, ajo e baltës dhe e betonit, ka mbaruar. E dinë që ajo që vjen tani është faza e ëmbël, faza e frytit. Dhe pikërisht në këtë çast zgjedhin ta damkosin ndërtuesin si dështak. Logjika është e ftohtë dhe e përkryer: e shpall të dështuar atë që ndërtoi themelin, ia mohon veprën, dhe pastaj ulesh mbi atë vepër dhe e quan tëndën. Korrupsioni nuk është këtu diagnoza. Është vegla. Është çelësi me të cilin hapet dera e trashëgimisë.
Dhe le të jemi të sinqertë për diçka që balada, e cila sot qarkulloi nëpër ekranet tona, e tha pa dashur më saktë se çdo analizë: plagët më të thella nuk vijnë nga shqelmat e turmës. Vijnë nga duart që dikur i besove. Nga fytyrat që dikur uleshin pranë teje. Kush ka qeverisur e di se armiku i shtetit rrallë vjen nga jashtë; ai rritet brenda, te tavolina jote, me buzëqeshjen e mëngjesit dhe thikën e mbrëmjes.
Mua më thonë se ky qëndrim është rreshtim. Se duke refuzuar të ndaj fajin baras mes ndërtuesit dhe atyre që duan vetëm ta trashëgojnë, kam zgjedhur një palë. Por unë nuk kam zgjedhur një parti. Kam refuzuar një gënjeshtër të rehatshme, atë gënjeshtër që kërkon nga opinionisti të vendosë gjithmonë një peshore me dy tasa të barabartë, edhe kur njëri tas mban dekada vjet punë dhe tjetri mban vetëm zhurmë. Të barazosh ndërtuesin me ata që duan ta shkulin, kjo nuk është paanshmëri. Kjo është frikë e maskuar si virtyt.
Një ditë fjalimet do të shuhen. Titujt e gazetave do të zverdhen. Inati do të tretet me vitet, ashtu siç tretet çdo inat. Dhe atëherë askush nuk do të pyesë se kush bërtiti më fort, kush hodhi gurin e parë, kush u ngjit më shpejt në karrige. Do të mbetet vetëm një pyetje, e thjeshtë sa kruspulli i një fëmije: kush e ndërtoi atë që mbeti në këmbë?
Turma do të shkojë në shtëpi. Banderolat do të ulen. Sheshi do të zbrazet siç zbrazet gjithmonë.
Vendi do të mbetet.
Dhe vendi, ai vend që sot e quajnë dështim ata që presin ta trashëgojnë, do të mbajë gjurmët e duarve që e ngritën nga balta. Historia nuk i pyet hajdutët se çfarë morën. I pyet ndërtuesit se çfarë lanë.
