Nga Luçiano Golemi/
Zbehtë, befas, rrezja e parë e diellit të mekur të agut, me një kapercim hileqar kah perdes, hyn e shkëlqen duke alarmuar e paftuar zbardhjen e ditës.
Ishe zgjuar çuditërisht para tringëllimës së automatizuar të telefonit, që po me aq përtesë sa zgjimi, e kishe vendosur mbrëma vonë, pa u shtritur ende gjata-gjerë.
Me pyetje dyshuese shkon drejt qenefit për të vijuar rutinën, del prej andej, vishesh, një mëngë atje, një çorape këtu dhe rend shkallët – shkalluar, për të dalë në rrugë e sakaq për t’i ngritur dorën shoferit të urbanit që qëlloi fiks në të mbyllur të dyerve, me frymë vërshëllyese pas pompimit të cigares erë plumbi dhe me shikim shpërfillës të tipit “me ne frega”.
Pas “negociatave” të dyshimta dhe dueleve të shikimeve, ia del të hipësh, paguan 40 lekshin (rritur me 10 lekë) pas performancës së lartë dhe shërbimit tipik japonez, ku autobuzët…(më fal se atje janë drejt zhdukjes)…tramët express ecin me 100km/h, nis udhëtimin soditës.
Xhami qëndron i hapur, era të faron faqet dhe kondicioneri nuk ndizet se “është gjynah me e ndez”- thotë faturinoja.
Me kufje ne vesh dhe me një mendim atipik, pret që ta afrosh stacionin tek autobusi dhe jo anasjelltas.
Mbaroi! Zbret dhe pi kafen në lokalin më të afërt të mundshëm duke numëruar minutat që fluturonin, dhe aty nis dëgjon refrenet e jetëve që ishin zgjuar pak a shumë si edhe ti, por në dallim ishin veshur dhe mbërthyer grykshëm, vajza flokë spicë e djemë të kollarisur me tek tu ndonje rrudhë që i shkonte tej këmishës së mosvarur në kremastarë, e padyshim çantë “Versaçe” bojëkafe, si instalacioni i fundit që mungonte në tavolinë.
Fill aty ku përfundon “ekzibicioni” artistik i t’u dukurit bukur përballë audiencës kafepirëse, nis edhe përplasja e duarve mbi tavolinë, shpjegim që shterr hallet (gjoja) dhe që i gjegjet pastaj zhargoni vulg që kontrastohet nga veshja llustrafine.
“Aq e kaq na duhen”-thonë ata të Versaces.
“Nuk bëhet kjo punë mo lale, ta ka dhënë shtrenjtë”- ja beh tjetri me tutje.
“Ec mer se s’ja kam dhon’ lekët, kismet kur t’i boj…”
Largohesh duke e lënë refrenin gjysmë, ashtu si dhe kafen, të pirë shpejt e çerek mbi tavolinë dhe hyn drejt e në ambientin e punës që s’ish’ më shumë se 3 minuta larg prej aty.
Ulesh, nis të terezitësh tavolinën, dhe lexon kronikën e ‘nxirë’ të mengjesit:
“Hidhet nga kati i gjashtë, shkak varfëria ekstreme”
Aty të vijnë plogësht një tollovi mendimesh në fraksione sekondash, tamam si një matriks…
Kafja…borxhi…versacet…!
Po pse vdesin?
Se di…as ata!
