Kryeministri Edi Rama flet për procesin e integrimit, veton, bllokadat që dikur vendoste Holanda ndaj Shqipërisë. Në një intervistë për gazetën ”Volkskrant”, kreu i qeverisë theksoi se duhet të anëtarësohen pa të drejtë vetoje, duke shtuar se nuk duan kurrë që të votojnë kundër shumicës, por synimi është që “të bëhemi më të fortë së bashku”. Sipas Ramës, vetoja nuk është thjesht një pengesë psikologjike në procesin e anëtarësimit, por edhe një kërcënim real për unitetin e BE-së.
”Ne duam të bëhemi më të fortë së bashku dhe, për ta arritur këtë, jemi të gatshëm të heqim dorë nga gjëra që ju i shihni si të ndërlikuara. Nuk do të votojmë kurrë kundër shumicës dhe nuk kemi nevojë për komisionerin tonë”, tha Rama. Ai komentoi edhe bllokadat që vendoste dikur Holanda, e cila ishte ndër vendet më spektike për Shqipërinë, teksa thotë se ka mësuar shumë nga ish-kryeministri Mark Rutte, që tashmë është shef i NATO-s.
”Me të vërtetë mësova shumë prej tij. Vlerën e durimit, për shembull. Dhe falë tij, i kuptoj edhe kompleksitetet e Evropës shumë më mirë. Për shembull, tani e di se aty ku për të tjerët mjafton një provim i vetëm, me ju holandezët duhet të kalosh të paktën tre”. Rama thotë se BE ndryshoi qëndrimin e saj ndaj zgjerimit kur Rusia nisi luftën në Ukrainë. I pyetur nëse do që Shqipëria të hyjë në BE, ndërkohë që pushtimi rus ka treguar se Unioni vepron ngadalë dhe me vështirësi, ai tha se ”BE është ideja më e madhe politike që njerëzimi ka prodhuar ndonjëherë, thjesht nuk është përfunduar ende”.
Në fund flet edhe ministren virtuale Diella. ”Ajo merr pjesë tashmë në mbledhjet e qeverisë dhe vitin tjetër do të jetë e disponueshme edhe si hologram për intervista të drejtpërdrejta. Atëherë mund t’ia bëni vetë pyetjen se sa e korruptuar është”.
