Havier Tebas, presidenti i La Liga e tashmë edhe anëtar i Ekzekutivit të UEFA-s, mendon se skuadrat spanjolle që vazhdojnë t’i qëndrojnë idesë së Superligës, duhet të frikësohen nga ajo që po përgatit organizata e futbollit. UEFA pritet të ndëshkojë Realin, Barcelonën dhe Juventusin në ditët e ardhshme me një dënim shembullor e me sa duket hipoteza e përjashtimit për një apo më shumë edicione nga aktivitetet ndërkombëtare, po bëhet gjithnjë e më shumë konkrete.
“Ata që duhet të frikësohen janë Reali dhe Barcelona. Nuk dua të imagjinoj një Ligë Kampionesh pa ata, por mund të ndodhë. Më shumë se një sanksion, UEFA mund të vendosë që të mos regjistrojë Realin dhe Barcelonën në Ligën e Kampioneve si në mospërputhje me statutet. Mendoj se mund të lihen jashtë. Ata duhet të jenë të frikësuar nga ky fakt”, theksoi Tebas për “ESPN”, duke bërë thuajse të sigurt përjashtimin e këtyre skuadrave.
Megjithatë, klubet në fjalë kanë paralajmëruar se do t’u drejtohen instancave më të larta për të mbrojtur të drejtën e tyre për të marrë pjesë në aktivitetet ndërkombëtare apo për të mos u përballur me sanksione financiare nga UEFA.
