Mbledhja e përbashkët e dy qeverive që pritej të mbahej këtë të mërkurë në Gjakovë u anulua. Ftesa e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, për të ndryshuar formatin e takimit duket se ka qenë arsyeja kryesore të këtij vendimi. Rama i ka dërguar kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, një draft propozim për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
Deri më tani nuk ka pasur asnjë komunikim zyrtar mes dy homologëve Rama-Kurti, madje institucionet në Kosovës theksuan se edhe njoftimin e anulimit të mbledhjes e morën gjatë komunikimit publik që pati Rama.
Vendimin për anulimin e mbledhjes, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka konsideruar alarmuese dhe ka hedhur kritika drejt kryeministrit Albin Kurti. Një reagim ka pasur edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) që thotë se Kryeministri Kurti është duke “e izoluar veten madje edhe nga aleati ynë, apo vendi siç është Shqipëria”. Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka pasur një reagim, por jo direkt sa i përket anulimit të mbledhjes.
