Sikurse ishte paralajmëruar, Presidenti Ilir Meta ka mbajtur sot në mëngjes një konferencë të jashtëzakonshme ku dha edhe argumentet për anulimin e dekretit për zgjedhjet e 30 Qershorit, i cili u njoftua në nisje të protestës së tetë të opozitës.
Meta tha sot se sipas Kushtetutës, Presidenti është i vetmi organ që përcakton datën e zgjedhjeve.
“Sipas Kushtetutës, pa pasur një datë nga Presidenti i Republikës, zgjedhjet nuk mund të zhvillohen” – tha ai.
Meta theksoi se dita e zgjedhjeve duhet të jetë një ditë bashkimi për qytetarët dhe jo një ditë përçarje. Presidenti u shpreh sot se vendi është në krizë kushtetuese pasi organizmat e ndarjes së pushteteve nuk janë funksionalë.
Më herët, Meta deklaroi se ky vendim vjen pasi asnjë nga palët politike nuk ka reflektuar për zgjidhjen e krizës.
“Dita e realizimit të zgjedhjeve duhet të jetë një ditë bashkimi dhe jo përçarje për popullin. Është dekretuar data në kushtet e një klime normale politike në vend. Presidenti ka ndjekur në vijimësi masat administrative për realizimin e këtij procesi, por rezulton se në skadim të afatit të regjistrimit të partive politike, ato të opozitës nuk janë regjistruar, pasi sipas tyre nuk mund të garantohen standardet për zgjedhje të lira. Ky vendim i opozitës, pason vendimin e saj për djegien e mandateve.
Nga ana tjetër Shqipëria po kalonë një krizë kushtetuese.
E gjithë kjo gjendje është shqetësuese dhe rrezikon stabilitetin e vendit.
Si president kam bërë të gjitha përpjekjet dhe kam bërë thirrje mes palëve që të gjejnë zgjidhje dhe të kalojnë krizën, por përpos thirrjeve sërish me keqardhje konstatoj se palët politike reflektojnë thellim të ndasive mes tyre.
Qeveria synon të shkojë e vetme në zgjedhje pa marrë asnjë hap për zgjidhen e krizës dhe dialog, nga ana tjetër edhe opozita shprehet se do të pamundësoje zgjedhjet, në vlerësim të situatës dhe gjuhës së urrejtjes… ekziston rreziku që vendi të shkojë drejt përshkallëzimit të pasojave të pakontrollueshme. E konsideroj këtë moment si moment serioz për paqen në vend”, u shpreh Meta.