Policia e ka quajtur “Aplikacioni” operacionin e saj për ndëshkimin e rasteve të zhvillimit të palejuar të lojërave të fatit. Operacioni nisi më 1 janar fiks një ditë pasi qeveria vendosi mbylljen përfundimtare të lokaleve të basteve, dhe jo vetëm, por dhe ato online.
Të dhënat e fundit nga policia për periudhën 1 janar 2019 e deri më 20 shkurt, thonë se janë evidentuar dhe proceduar në të gjithë vendin 70 persona. Ajo që bie në sy është se në 20 raste kanë qenë denoncues vetë qytetarët, çka vijojnë të mbeten kundër këtij fenomeni social në Shqipëri.
Sipas këtyre të dhënave në shkallë vendi janë ushtruar 7697 kontrolle ambiente, janë evidentuar dhe proceduar penalisht 70 persona për “Organizim i llotarive të palejuara” dhe “Vënie në dispozicion të lokaleve të lojërave të palejuara”. Janë sekuestruar 27 kompjutera, 5 makineta, 7 televizorë, 12 tavolina pokeri, 1100 çipsa.
Nga fillimi i zbatimit të Ligjit Nr.75, datë 25.10.2018, më datën 01.01.2019 dhe deri më datë 20.02.2019, janë evidentuar 12 raste të aktivitetit “Tavolina Poker” si: në Tiranë 6 raste; në Durrës 1 rast; në Berat 2 raste; në Krujë 1 rast; në Librazhd 1 rast; në Shkodër 1 rast.
Në të gjitha këto raste janë sekuestruar tavolinat e pokerit, çipsat dhe letrat e bixhozit dhe janë referuar çështjet në Prokuroritë pranë Gjykatave të Shkallës së Parë sipas territorit që mbulojnë.
Vetëm një ditë më parë , në qytetin e Tiranës nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në operacionin policor “Aplikacioni” janë proceduar penalisht 8 persona për veprën penale të “Shkelja e të drejtës të pronësisë industriale”, “Fshehje të të ardhurave”, “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të pa lejuara”.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 13 aparate “Dream box” dhe “Smart box”, 9 aparate celularë smartphone, 2 kompjuter laptop.
Personat e proceduar kishin role të ndryshme, kryenin aktivitetin e kundërligjshëm të organizimit të lotarive sportive të palejuara duke përdorur aplikacione dhe platformë në kompjutera, laptop, tableta dhe smartphone.
Këta shtetas nëpërmjet llogarive që krijonin në mënyrë elektronike u aksesonin klientëve të tyre bileta elektronike për baste sportive.
Gjatë operacionit në shkallë vendi, Strukturat e Policisë së Shtetit kanë identifikuar, zbuluar dhe evidentuar 2685 adresa (linke) të cilat ushtrojnë këtë aktivitet dhe i ka kërkuar Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, mbylljen e aksesit për adresa të identifikuara si të dyshuara për vazhdim të ushtrimit të aktivitetit të lojërave të fatit dhe basteve sportive online.