Nga Arben Rrozhani
Pas ikjes së parakohshme të doktor Shahin Kadareja, pak javë më parë, familja e njohur humbi dje edhe motrën, Kadrijen, një vit më të vogël se Ismaili.Ne që punuam dhe ndamë momente jetësore me të e quanim Kaku. Një grua trupimët, por shumë e ditur, veshur me të njëjta rroba të thjeshta për shumë vite, punëtore që refuzoi të gëzonte pensionin për të patur një rrogë tjetër dhe kjo s’ka lidhje me namin që gëzojnë gjirokastritët.Ajo ishte Kadareja që nuk njihet prej shumëkujt, por pas saj fshihet edhe një pjesë e madhe e suksesit të shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare, bashkëshortes së tij, Elena, familjes së tij. Ajo ishte nikoqirja dhe amvisa e familjes, guvernantja e vajzave të tij, administratorja e shtëpisë së njohur te pallati-kub i Maks Velos, kur shkrimtari la Shqipërinë në fund të viteve ‘80 e deri kur u kthye në muze nga ana e bashkisë së Tiranës.Vepra brilante e Kadaresë është përkthyer në shumicën e gjuhëve të botës, por deri aty është dashur shumë punë. Një pjesë të rëndësishme të saj e ka bërë Kakuja, kjo grua e ditur dhe e papërtuar, që merrte dorëshkrimet e Ismailit dhe i rishkruante, i korrektonte dhe i redaktonte për t’i sjellë në gjuhën e mrekullueshme që sollën librat e shkrimtarit të madh. Kjo punë gjithë merak me librat e vëllait bëhej krahas me atë zyrtare në shtëpitë botuese dhe për shumë vite edhe asaj si redaktore letrare në shtypin e shkruar. Një profesioniste skrupuloze deri në cfilitje për pastërtinë e gjuhës shqipe, por edhe një grua shpirtmirë; kështu e kemi njohur Kakunë dhe në këtë ditë të trishtë, 24 orë pas përcjelljes së saj në banesën e fundit, le ta kujtojmë me disa copëza gazmore që do t’i mbajmë mend gjatë ne që punuam me të te gazeta “Albania” prej vitit 1996 deri në fillim të viteve ‘2000.Drejtori Ylli Rakipi, në çastet e tij të marrosura, i thoshte: Zoti t’i mori trutë ty dhe Shahinit dhe ia dha Ismailit që të bëhej kaq i madh. (Kakuja e shante nëpër dhëmbë).Pas ditëlindjeve që bënte stafi në redaksi mbetej tortë edhe për një festë tjetër. Kakuja e merrte, e mbështillte me gazetën e stërmadhe dhe ashtu shuk e fuste në një rrjetë plastike, që ishte dikur trasta e pazarit. I ndjeri Sokol Olldashi, që e donte shumë, e ngacmonte çdo pasdite: Hë, e mbarove tortën?-Jo, jo-ia kthente Kakuja. Sokoli e pyeste sërish dhe, pas nja dy javësh, Kakuja interesohej se kur ishte ditëlindja tjetër.Shoferi Mond Tufina, pasi çonte drejtorin në shtëpi, përcillte edhe Kakunë, zakonisht nga ora 02.00. Policët e njihnin Mondin dhe e përshëndesnin, ndërsa ai, duke treguar Kakunë në sediljen e pasme, u thoshte policëve “mos m’ngacmoni se jom me dashnoren”. Ata afronin me kuriozitet kokat te xhami i ulur dhe shtangeshin. Ndërsa një natë tjetër, pasi la makinën në marsh të parë, zbriti te Ministria e Mbrojtjes dhe kërcente valle tironse paralel me Kakunë që bërtiste e lebetitur, strukur në sediljen e pasme.Kryeredaktori Lutfi Dervishi qëllonte që e çonte ndonjë herë në shtëpi dhe në njërën nga këto netë e ndalon policia, ndërsa i jepte “Golfit 2”, të bardhë.-Na fal se qenke edhe me nënën- i thotë polici, duke parë Kakunë në sediljen e parë të pasagjerit.Luti ia kthen me sarkazmën e tij tipike:-Të lutem shumë, mbaj gojën. Kjo jo vetëm që nuk është nëna ime, por është edhe vajzë. Ndërsa polici ngeli si hu, sepse nuk e dinte që Kakuja nuk u martua kurrë për të patur familjen e saj dhe jo pse kështu ishte dikur zakon në Gjirokastër.Ndërsa historia tjetër është në pranverën 1999, kur në redaksinë tonë, erdhën disa kolegë nga Kosova, të përzënë bashkë me 1 milion shtetas të tjerë nga rregjimi i Milosheviçit. Gazetari Bejdo Malo, i shquar për fjalorin e ulët që përdorte me të njohurit i drejtohej Kakusë me fjalën k***rvë. Gazetari i ndjerë Nazmi Lukaj e dëgjoi disa herë dhe nuk duroi më po ai përplasi Bejdos në fytyrë:-Po si guxon ti me i thanë k***rvë motrës së shkrimtarit tonë të shquar, ë?!Kukuja nuk priti që të përgjigjej Bejdo, por ia ktheu gazetarit të xhindosur nga Kosova, duke u përdredhur:-K***rvë është titull nderi sot.Plasi ilariteti, ndërsa Nazmiu i shkretë nuk dinte çfarë të thoshte.Me këto copëza gazmore besoj se po qesh tani edhe Kakuja, atje lart, si gjithmonë duke mbuluar me dorë gojën, që të mos i duken dhëmbët e prishur që nuk i rregulloi kurrë. Dhe në natën e mirë të Kadrit, nga e kishte marrë emrin, do të themi vetëm fjalë të mira për të, si atëherë.
