Ditën e djeshme, Southampton humbi ndaj Newcastle në shtëpi me rezultatin 1-2.
Lojtari shqiptar Armando Broja ishte në fushë që nga minuta e parë ku luajti për 73 minuta e më pas u zëvendësua nga tekniku i “The Saints”. Por performanca e tij në fushën e blertë ishte larg pritshmërive duke bërë që mediat britanike të mos i kursenin kritikat për djaloshin e talentuar.
Në një përmbledhje të ndeshjes të bërë nga “Hampshire”, aty u dhanë edhe notat e lojtarëve ku mes tyre vihet re Armando Broja që është vlerësuar me notën 4.
“Lojtari i huazuar nga Çelsi humbi një mundësi të artë për të shënuar dhe nuk arriti të shënjestronte portën, kur i erdhi topi nga shoku i skuadrës Adams. Nuk ishte performanca e tij më e mirë ku ai nuk ishte i shpejtë mjaftueshëm që të reagonte në disa pasime nga shokët e skuadrës. Nuk shfrytëzoi disa sulme që ishin premtuese. Nuk ishte çudi që u zëvendësua”, thuhej në vlerësimin që i ishte bërë Brojës.
