Pasi prezantoi Muhamet Rrumbullakun si drejtorin e ri të Policisë së Shtetit, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi u pyet edhe për deklaratën e Gledis Nanos, i cili tha se 14 kriminelë u arratisën nga dekonspirimi i operacioneve policore.
Çuçi tha se Nano do të hetohet për këtë deklaratë. “Padiskutim që është shqetësuese, por edhe pjesë e punës së përditshme që ka Policia e Shtetit për të pastruar radhët e Policisë nga këta elementë. Po nuk e ka ditur ai kur ishte në detyrë, vështirë se do ta dijë ministri. Është në hapësirën e informacionit që ka ai. Do e hetojmë, do përfshihet edhe ai që ka bërë këtë deklaratë për të zbardhur të vërtetën”,-tha Çuçi.
Gledis Nano i cili është në qendër të politikës, në një intervistë në reportazhin “Hetime Ekskluzive” për kanalin francez Metropole, edhe pse tashmë si ish-drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ka folur për punën e tij.
Nano ka thënë ndër të tjera se gjatë kohës që ushtronte detyrën (10 muaj), janë arratisur 14 kriminelë të rrezikshëm, kjo pasi janë dekonspiruar operacionet e policisë për kapjen e tyre. “Ka pasur rrjedhje të informacionit, mund të ketë ardhur nga vetë ato që kanë kryer investigimin ose nga ekipet operacionale”, ka thënë Nano për televizionin francez, duke shtuar se është e paqartë nga ka rrjedhur informacioni.
Intervista e Nanos me Tv franzez është realizuar para se ai të shkarkohej nga posti i drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit.