I ftuar në “My Living” në Vizion Plus, Sokol Balla ka folur dhe për udhëtimet të cilat janë dhe pasioni i tij. Ai ka rrëfyer se i shfrytëzon këto udhëtime duke ecur sepse kështu e shijon më shumë vendin të cilin po viziton.
24 kilometra ka qenë ecja ime më gjate. Për shumë orë në fakt, nga mëngjesi deri në darkë në Myanmar. Kur kam arritur natën në hotel, nuk i ndjeja këmbët. Por, e para ishte shumë bukur. E dyta, unë rrallë herë udhëtoj dhe vetëm dhe kur je vetëm nuk ke asnjë impenjim tjetër.
Por rekordet e moderatorit të “Real Story” nuk janë vetëm në ecje, por edhe në milje.
Udhëtimet e mia kanë nisur që nga 93-shi dhe prej asaj kohe nuk jam ndalur më. Udhëtimi i parë ka qenë në Pragë. Ka qenë një specializim atëherë kur punoja në Televizionin Shqiptar, i sponsorizuar nga BBC. Ishim disa gazetarë të rinj premtues të Ballkanit që u mblodhëm në Pragë për gati 3 javë.
Për një vit, Balla më pas udhëtoi në Budapest, Angli, Bullgari e Amerikë.
Balla ka rrëfyer në “My Living” se ai mundohet të mos jetë turist sipërfaqësor. Pra, Balla thotë se maksimalisht duhet të ketë lexuar 1 ose 2 libra për atë vend, ose të paktën të informohet.
Në vendet që Balla pëlqen, rikthehet shpesh herë. Dhe një ndër qytet e preferuara të Ballës është Stambolli.
Habia me Stambollin është se ti sa herë shkon, zbulon një lagje të re, një qendër të re. Është një qytet i jashtëzakonshëm. Londra, Athina dhe New York-u. Le të themi që sharmin kryesor, them unë, në mendjen time është një konkurrencë mes Amerikës Latine dhe Azisë Juglindore. Janë vende të jashtëzakonshme.
“Një shoku im thotë me shaka: Ti ke vizituar më shumë vende seç ka njohje Kosova. Po jemi aty. Unë duhet të jem midis 107-110 vendeve (si shtete)”- tregon Balla.