Do të ketë arrestime gjatë kohës së fushatës zgjedhore, e cila nis në prill? Kreu i SPAK-ut, Altin Dumani gjatë takimit me gazetarët, theksoi se SPAK vepron sa herë vihet në kontakt me shkeljen e ligjit.
”Ne nuk kushtëzohemi nga fushata zgjedhore, ne ligji na detyron sa herë të vihemi në kontakt me shkelje të ligjit. Ne jemi në shërbim vetëm të ligjit”, tha Dumani.
Vendimi i gjykatës që e liron Sali Berishën për shkak të fushatës zgjedhore, a mund të ndiqet i njëjti rast edhe me Ilir Metën?
”Ne nuk kemi ndjeshmëri, ne respektojmë vendimin e gjykatës. Ne jemi prokuror zbatues të ligjit, kur një vendim gjykate nuk na duket në përputhje me ligjin ne kemi të drejtën e ankimit në një gjykatë më të lartë. Sa i takon çështjes në fjalë masat tona janë gjetur të drejta. Gjykata Kushtetuese i dha fund debatit, për masën e sigurimit pa kërkuar autorizim të Kuvendit”, tha Dumani.