Disa qytetarë dhe aktivistë janë mbledhur sot para Gjykatës Penale të Tiranës, ku u shqyrtuan masat e sigurisë për 21 protestuesit e arrestuar gjatë protestës pranë Kuvendit më 2 korrik.
Në të njëjtën kohë, brenda gjykatës zhvillohej seanca për caktimin e masave ndaj të ndaluarve, ndërsa jashtë godinës protestuesit kërkonin lirimin e tyre me thirrje dhe parulla.
Seanca u drejtua nga gjyqtari i gatshëm Sokol Mara dhe u zhvillua me dyer të mbyllura. Masat u shqyrtuan në grup për të gjithë personat e përfshirë.
Sipas vendimeve të dhëna, për 19 prej protestuesve u caktua masa “detyrim paraqitjeje”, ndërsa për dy të tjerët u vendos “arrest shtëpie”.
Prokuroria kishte kërkuar fillimisht masa më të rënda për disa prej të ndaluarve, por gjatë seancës qëndrimi u ndryshua për një pjesë të tyre, duke propozuar masa më të lehta.
Avokatët kërkuan lirimin e menjëhershëm të protestuesve, duke argumentuar mungesën e provave të mjaftueshme dhe duke ngritur shqetësime për mënyrën e arrestimeve.
Një prej rasteve të trajtuara ishte edhe ai i një protestuesi që nuk u ndje mirë gjatë seancës dhe mori ndihmën e parë nga mjekët, pasi vuan nga epilepsia.
Mes të arrestuarve figurojnë emra të shumtë, përfshirë pjesëmarrës nga protesta e zhvilluar para Kuvendit, ndërsa disa prej tyre janë të përsëritur në listat e paraqitura gjatë seancës.
Gjykata mori kohë për shqyrtimin e materialeve hetimore para shpalljes së vendimeve përfundimtare, ndërsa jashtë ambienteve tensioni vijoi me thirrje për lirimin e të ndaluarve.
Prokuroria i ka lidhur akuzat me pamje filmike dhe dëmtime të pretenduara të mjeteve të policisë, ndërsa avokatët i kundërshtuan duke kërkuar lirimin e tyre.
Seanca u mbyll me tërheqjen e trupës gjykuese për vendim, ndërsa protesta jashtë gjykatës vazhdoi edhe pas përfundimit të procesit.
“Nga 21 personat që ishin për masë sigurie, vetëm 19 ishin nga protesta, 2 të tjerë nuk kishin lidhje. Nga 19 personat për 3 prej tyre prokuroria fillimisht kërkoi arrest me burg, pastaj e ndryshoi për njërin duke kërkuar arrest në shtëpi për njërin prej tyre. Pas debatit gjykatat vendosi 2 persona do qëndrojnë në arrest shtëpie, 5 persona janë pa masë sigurie dhe gjithë të tjerët për detyrim paraqitje. Disa dy herë në muaj, disa 1 herë në muaj. Arrestimi u konsiderua i ligjshëm në parim, pati debat shumë të madh”, tha avokati.
