Një konflikt pronësie në zonën e Kepit të Rodonit, çoi në arrestimin e tetë personave nga Policia e Shtetit. Mes të arrestuarve është dhe ish-deputeti i PS-së, Mark Frroku. Mësohet se gjatë sherrit është qëlluar me armë.
Nga të dhënat paraprake, ka dyshime se personi që ka qëlluar me armë është kushëri i ish-deputetit Frroku. Konflikti ka nisur gjatë kohës kur përfaqësuesit e kishës katolike po bënin rrethimin e pronës për të cilën kanë certifikatë pronësie. Banorët e fshatit Shetaj, nuk i kanë lejuar që të bëjnë këtë rrethim pasi edhe ata kanë një certifikatë pronësie, që pretendojnë se e kanë po për këtë pronë.
Konflikti mësohet se ka ndodhur mes një personi të quajtur B.Kaculi, i cili ka edhe një pronë në hyrje të Parkut dhe rojeve të Parkut të Kepit të Rodonit. Këta të fundit dyshohet se kanë përdorur edhe pistoletat, në tentativë për të larguar familjen Kaculi.
I gjithë konflikti është për një pronë, e cila ka dy certifikata pronësie. Një nga familja Kaculi dhe një tjetër nga Kisha Francceskane. Por, në “lojë” janë futur edhe të fortët e zonës, të cilët janë kundër familjes Kaculi, pasi në pronën e tij synojnë që të shkojnë në det, për të ndërtuar edhe një mol. Pra, një skemë e pastër, ku në lojë janë futur një mori institucionesh, që nga Kadastra, Policia e Shtetit, Njësia Administrative, Bashkia e Durrësit apo edhe Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit.