Detaje të reja janë bërë publike nga operacioni i Policisë së Shtetit dhe forcave RENEA për kapjen e Ylli Zallës, i cili ishte shpallur në kërkim që prej vitit 2025.
Zalla u arrestua në orët e para të mëngjesit të kësaj të hëne në Krujë. Lajmi u konfirmua nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, i cili përgëzoi strukturat e Policisë për përfundimin me sukses të operacionit.
Sipas burimeve, në momentin e arrestimit, Zalla ishte i armatosur me një kallashnikov dhe kishte me vete tre krehëra me fishekë. Ai ishte fshehur në një zonë të pyllëzuar, pranë banesës së tij në fshatin Zallë.
Zona ku dyshohej se fshihej 49-vjeçari ishte mbajtur prej ditësh nën vëzhgim nga Forcat Operacionale të Drejtorisë së Policisë Tiranë, përmes një droni të teknologjisë së lartë “Bayraktar”.
Sipas të dhënave të bëra publike, Zalla qëndronte rreth 500 metra larg banesës së tij. Mbrëmjen e së shtunës, pranë banesës ishte vendosur edhe një sasi tritoli.
Njoftimi i Policisë
Policia e Shtetit njoftoi finalizimin e operacionit të koduar “Fundi i Arratisë”, për kapjen e një personi të shumëkërkuar dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Operacioni u zhvillua nga Forcat Speciale RENEA, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, strukturat operacionale të DVP Tiranë dhe Komisariati i Policisë Krujë.
Sipas Policisë, Zalla kishte mundur t’i shpëtonte disa herë forcave të rendit. Gjatë operacionit, ai u lokalizua në një zonë të pyllëzuar, ku iu gjet dhe iu sekuestrua një armë zjarri kallashnikov dhe tre krehëra.
Policia bën me dije se më 14 nëntor 2025, në banesën e 49-vjeçarit ishte zbuluar një arsenal armësh, lëndësh plasëse, armësh zjarri dhe municioni.
Më 20 shkurt, gjatë kontrolleve në zonën përreth dhe pranë banesës së tij, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë gjetën dhe sekuestruan sërish një arsenal armësh, lëndësh plasëse dhe municion luftarak, si dhe lëndë narkotike Cannabis Sativa, uniforma policie dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Ndërsa më 23 qershor, gjatë kontrolleve në banesën e 49-vjeçarit, Policia sekuestroi një armë zjarri pistoletë me fishek në fole, gati për qitje, një celular, municion luftarak dhe një detektor frekuencash.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
