Ditën e sotme, policia ka arrestuar një 32-vjeçar në aeroportin e Rinasit pasi ky i fundit tentoi të korruptojë një punonjës policie duke i ofruar rryshfet në shifrën e 50 eurove.
Nga policia bëhet me dije se ai nuk ka qenë i pajisur me dokumentacion dhe për këtë arsye ka menduar t’ia hedhë dukei ofruar para policit për të kaluar tek kabinat dalëse. Mirëpo ky veprim i ka rezultuar vendimtar për arrestimin e tij.
Uniformat blu njoftojnë se materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Njoftimi i plotë i policisë:
Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Goditet një rast i mitdhënies. Gjithashtu, gjatë ditëve të fundit janë kapur 3 shtetas të shpallur në kërkim, goditur 6 raste të falsifikimit të dokumenteve ku shtetasit kanë tentuar të hyjnë në RSH-së, me pasaporta të falsifikuara, si dhe janë proceduar penalisht 6 shtetas për vepra të ndryshme penale.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Rinas, në vijim të punës me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë evidentuar një rast të mitdhënies dhe kanë proceduar penalisht shtetasin M. P., 32 vjeç, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Ky shtetas, është paraqitur pranë kabinave të daljes, dhe për të shmangur refuzimin e daljes për shkak të mungesës së dokumenteve përkatëse, ka tentuar të korruptojë punonjësit e Policisë Kufitare të planizuar me shërbim, duke i ofruar një shumë parash.
Gjithashtu, gjatë këtyre ditëve, janë kapur tre shtetas të shpallur në kërkim, goditur 6 raste të falsifikimit të dokumenteve ku shtetasit kanë tentuar të hyjnë në RSH-së, me pasaporta të falsifikuara, si dhe janë proceduar penalisht dhe 6 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
