Nuk kanë të sosur telashet për reperin ASAP Rocky. Ai është arrestuar në Los Angeles. Sipas “Tmz”, reperi i njohur edhe si i dashuri i Rihannas me të cilin pret një fëmijë, ka mbërritur nga Barbados në aeroportin LAX të metropolit me një avion privat dhe në terminal është pritur nga disa agjentë të cilët e kanë marrë me pranga. Po sipas “Tmz”, akuzat ndaj tij lidhen me të shtënat me armë zjarri të regjistruara nëntorin e vitit të kaluar ku ASAP Rocky ishte protagonist. Nuk ka shumë detaje në lidhje me akuzat ndaj reperit.
Burime thanë për “Tmz” se më 6 nëntor 2021, Rocky dyshohet se ka qëlluar tre ose katër herë në drejtim të një personi që ka mbetur i plagosur në dorë. Por nuk dihet se ku ka ndodhur kjo apo arsyeja e të shtënave.
Javën që lamë pas, një prej lajmeve më të komentuara ishte “tradhtia që A$AP Rocky i kishte bërë Rihannës”. Kujtojmë se dyshja presin fëmijën e tyre të parë.
TMZ dhe Page Six, duke cituar disa burime anonime të afërta me çiftin, i mbyllën shpejt thashethemet, të cilat filluan nga një postim në Twitter nga një shkrimtar, i cili është quajtur si “Ndikuesi më i çrregullt i modës në Instagram” nga revista Interview.
Pas një reagimit të stilistes, me të cilen supozohej që reperi kishte tradhtuar Rihannën, e cila hodhi poshtë të gjitha thashethemet dhe shprehu adhurimin për këngëtaren, blogeri që ishte i pari që përhapi këtë lajm të pavërtetë, ka kërkuar falje publike.
“Mbrëmë mora një vendim budalla për të postuar disa informacione që kisha marrë”, shkroi Pisano. “Unë nuk do të flas për burimet, nuk do të fajësoj të tjerët për një diskutim që filloi, etj, sepse në fund të ditës mora vendimin për ta shkruar atë postim, që mban emrin tim”, duke shtuar, “Unë do të doja t’u kërkoja falje zyrtarisht të gjitha palëve që përfshiva në veprimet e mia dhe për postimet e mia të pamatura në Twitter. Nuk kam asnjë justifikim për këtë, kam qenë shumë i përfshirë në dramën e krijuar.”