Gazetari Mentor Kikia ka komentuar çështjen e celulës terroriste që kishte planifikuar të kryente një sulm në festën e Sulltan Novruzit.
Në një status në rrjetet sociale, Kikia shkruan se duhet të arrestohen tre gjyqtarët që lanë të lirë Abdulselam Turgut, që sot pas operacionit të kryer nga antiterrori rezultoi të ishte një terrorist.
Ndër të tjera, Kikia shkruan se edhe Bamir Topi e Kreshnik Spahiu mund të dinë shumë në lidhje me këtë çështje pasi në atë kohë kryesonin KLD-në.
“Meqë trafikanti iku, arrestoni gjykatësit. Bëni drejtësi!Nuk reshtëm së bërtituri atë kohë për këtë skandal. Kemi shkruar e folur pa fund për lirimin e trafikantit turk që sot doli një nga anëtarët e celulës terroriste iraniane. Por askush nuk deshi të dëgjojë. Një bandë gjykatësish vazhduan të qetë karrierën e zhvatjes.
Nuk kishte ndodhur asnjëherë që një trafikant, që kërkohet në 5 shtete për 1 ton kokainë, të nxirret nga burgu e të sigurohet në arrest shtëpie. E ku, në një vend pa adresë. Di njeri të thotë ku bie shtëpia: Kthesa e Kamzës, kati i 8? Nuk ka asnjë. Ose ka qindra shtëpi që janë në katin e 8 në dhjetra pallate tek Kthesa e Kamzës. Ku janë sot këta gjyqtarë? Përse nuk arrestohen? Gjin Gjoni ka marrë edhe leje lindjeje për të shtyrë vettingun.
Reforma thjeshtë disa prej tyre i ka përjashtuar, por po gëzojnë të qetë paratë e trafikantit turk.
KLD kryesohej atekohe nga Bamir Topi, President i Republikes dhe Kreshnik Spahiu, nenkryetar. Mund te dine edhe keta ndonje gje,”- shkruan gazetari.