Një familje shqiptare prej pesë anëtarësh është urdhëruar të largohet nga Suedia, ku jetojnë prej gjashtë vjetësh pasi nuk i është miratuar zgjatja e lejes së punës për kryefamiljarin, Gentian Hoxha.
Ky i fundit duke folur për median suedeze thotë se është faji i kompanisë që nuk pagoi në kohë kompensimin e pushimeve.
“Kompania nuk pagoi në kohë kompensimin e pushimeve, sepse ata kishin probleme me paratë dhe ky nuk është faji im. Djali im i vogël ka lindur në Suedi, pse nuk duhet të rritet këtu? Nuk kam bërë asgjë të gabuar, është e padrejtë”, ka thënë Gentian Hoxha për SVT Smaland.
Suedia ka rregulla të rrepta përsa i përket pushimeve dhe punonjësit me pushime 25 ditore mund të kursejnë pesë ditë prej tyre për t’i përdorur vitin e ardhshëm. Çdo ditë tjetër duhet të konvertohet në para dhe të paguhet në atë që në suedisht quhet semesterersättning, (kompensim pushimesh).
Hoxha kishte 58 ditë të vlefshme pushimi, që kishte arritur ti bënte përgjatë periudhës 3-vjeçare të punës, dhe punëdhënësi nuk ia kompensoi në kohë. Edhe pse kompania e pagoi kompensimin e pushimeve një ditë pas vendimit të Agjencisë së Migracionit, kjo nuk e ndryshoi vendimin.
Ligjet e punës në Suedi u shtrënguan dhe u zbatuan në vitin 2015, kur Agjencia e Migracionit nisi gjykimin e rasteve të tilla në mënyrë më strikte, dhe duke rritur në mënyrë dramatike numrin e refuzimit të lejeve.
Në dhjetor të vitit 2017 u miratua legjislacioni, që do të thotë se lejet nuk duhet të refuzohen nëse është vërejtur një gabim dhe është ndërmarrë veprime për të korrigjuar atë para se të ceket nga Agjencia e Migracionit – por natyra e komplikuar e dokumenteve do të thotë që shpesh punëdhënësit dhe punonjësit kanë ndjekur procesin e duhur dhe e kanë mësuar gabimin vetëm kur leja është refuzuar.
Vendimet e Gjykatës Supreme të Migracionit kanë vendosur gjithashtu një precedent që vendimet duhet të bazohen në një vlerësim të përgjithshëm të faktorëve, që do të thotë që një gabim i vogël nuk duhet të pengojë një aplikim tjetër të mirë.
Por një zëdhënës i Agjencisë së Migracionit tha për SVT Småland se tre vjet paga pushimi të papaguara nuk mund të konsiderohet të jetë një gabim i vogël.
Për të aplikuar për një leje pune të re, Hoxha duhet të bëjë kërkesën nga Shqipëria, që do të thotë se do të duhet të largohet nga puna dhe nga shtëpia që zotëron.
Familja ka apeluar vendimin tek organet e shumta, deri tani pa sukses, dhe aktualisht është duke pritur për të parë nëse Gjykata e Migracionit do të miratojë një përjashtim nga kërkesa për të qenë jashtë Suedisë kur bën një aplikim të ri për leje pune.