Florian Kamberi do të ketë më në fund shansin të debutojë me fanellën kuqezi, duke qenë se në grumbullimet e mëparshme ka qenë i pafat. Në herën e parë sulmuesi u dëmtua, ndërsa më pas teksa ishte pjesë e St.Galen në Zvicër, ishte e pamundur të fluturonte në Shqipëri për shkak të kufizimeve nga COVID-19. Por, tashmë është radha e tij, ndërsa asistenti i trajnerit Edi Reja, Serxhio Porrini thekson se kombëtarja ka nevojë për lojtarë si Kamberi që aktivizohen me vazhdimësi.
“Kemi pritur shumë gjatë për Kamberin. Kemi provuar ta marrim para dy viteve, kam ardhur në Skoci kur ai ishte pjesë e Hibernian. Ai erdhi dhe u bashkua me në, por u dëmtua dhe u kthye në Skoci. Më pas u transferua te St.Galen në Zvicër dhe më pas ishin të gjithë problemet me COVID-19 me kufizimet në Europë dhe nuk mund ta merrnim. Tani, më në fund mund ta shohim Kamberin në fushë me Shqipërinë. Ai ka marrë ftesën dhe prej momentit kur është transferuar te Aberden po luan me vazhdimësi, që është mirë për Kamberin dhe për ne.
Ne kemi nevojë për lojtarë që kanë në këmbë 90 minuta. Është mirë që Floriani është në ritëm sepse në kombëtare nuk ke shumë mundësi të punosh shumë me lojtarët dhe skuadrën. Aty e gjitha ka të bëjë me përgatitjen për ndeshjen e radhës dhe asgjë tjetër. Ne kemi parë me vëmendje të gjithë futbollistët që janë të gatshëm dhe Kamberi ka karakteristika të ndryshme nga sulmuesit e tjerë që kemi. Na bëjnë shumë punë lëvizjet e tij në fushë dhe do të na japë diçka ndryshe. Besoj se nëse ai vjen dhe luan ashtu siç ai di, atëherë vërtet mund të na përmirësojë.
Kualitetet e tij janë kur gjen hapësirë të sulmojë dhe në ato kushte mbrojtësit e kanë të vështirë ta ndalin. Trajneri i kombëtares dhe unë e kemi ndjekur prej kohësh, prej kur luante me Hibernian dhe kemi shumë pritshmëri për të. Është padyshim një lojtar që mund të na përmirësojë. Ne kemi ndeshje me Anglinë, por e para është kundër Andorrës dhe mendoj se ajo është më e vështira”, u shpreh Kamberi.
