Grupi i Alibeajt nuk ka asnjë kusht për pjesën tjetër të drejtuar nga Sali Berisha që të dalin me kandidatë të unifikuar në zgjedhje.
Deputeti i PD Gazment Bardhi tha në një intervistë për emisionin “Pa Censurë” se janë të gatshëm që kandidatët e primareve të regjistrohen me logon dhe vulën e PD zyrtare.
“Nuk kemi asnjë kusht. Nëse gjykohet se kandidati është fitues, ecim përpara, por nëse ka një mendim se kandidati nuk është fitues, duhet t’i shkëmbejmë këto mendime. Ky nuk është as kusht dhe as përbën problematikë për ta çuar PD të unifikuar në zgjedhje. Për fat të keq nuk ka bisedime, se, nëse ne ulemi me një objektiv të qartë sesi t’i fitojmë zgjedhjet lokale, çdo pengesë apo çdo shqetësim kapërcehet”, tha Bardhi.
Ai nuk pranoi si serioz qëndrimin e grupimit të zotit Berisha se Basha dhe Alibeaj janë pengesë për një marrëveshje, duke qenë se konsiderohen si pengje të kryeministrit.
“Historia e pengut të Ramës është kthyer në gallatë mes nesh. Janë akuza krejtësisht të pabaza dhe një retorikë e dëmshme për periudhën ku jemi. Na duhet të krijojmë një tjetër frymë për të fituar zgjedhjet lokale. As Basha, as Alibeaj nuk janë fare pengesë për të arritur këtë unifikim të opozitës në zgjedhje”, u shpreh Gazment Bardhi.
Zgjidhja që çon drejt unifikimit të kandidatëve, në gjykimin e tij, është ndërprerja e konfliktit të brendshëm, që përballë kandidatit të Edi Ramës të dilet me një kandidat të unifikuar fitues të opozitës.
“Nëse kolegët kanë një tjetër objektiv për 14 majin, me shumë përgjegjshmëri po them se po tentojnë të bëjnë mish për top kandidatët e tyre, po i fusin në një garë që, ku me një opozitë te copëzuar, është e qartë që do të jenë humbës. Po bëjnë mish për top edhe demokratët, edhe qytetarët që presin ndryshimin në 14 maj. Ndryshimi nuk mund të vijë, nëse ne përfaqësohemi me 2, 3 apo 4 kandidatë të opozitës përballë 1 kandidati të kundërshtarit tonë politik. Nuk ka rëndësi e kujt është përgjegjësia, nëse Edi Rama del shumë herë më i fuqizuar nga zgjedhjet lokale”- tha Bardhi.