Gazetarja Klodiana Lala është shprehur se atentati ndaj Preng Gjinit i ka kujtuar ngarjen e rëndë që solli vrasjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi. E ftuar në emisionin ‘’Real Story’’, Lala tha se me ngjarjet përkon edhe mujai, ku po në shtator, 11 vite më parë u vra Konomi në qendër të Vlorës.
Lala thekson se autorët dhanë një mesazh të qartë, dhe se lanë të kuptohej se tashmë nuk e kanë më problem të vrasin edhe kalimtarë vetëm për të arritur qëllimin.
“Në momentin e parë ishte e paqartë. Kemi siguruar pamjet nga momenti i parë të personit. Ngjarja që më shkoi që në momentin e parë ishte ajo e Skerdilajd Konomit, koha dhe vendi ku është gjetur, pra po jepej një mesazh i qartë. Krimi i organizuar nuk pyet nëse vret dhe kalimtarë, do të arrijë qëllimet. Familja Gjini ka pasur edhe të tjerë të vrarë. Ky është vëllai i Armando Gjinit që është ekzekutuar me kallashnikov para Katedrales në Rrëshen, para familjes së tij. Bëhet fjalë për një përplasje të fortë të fiseve në Rrëshen. Vëllai i tij ka qenë pjesë e grupit kriminal të Met Kananit,”– tha Lala ndër të tjera.
Preng Gjini mbeti i plagosur rëndë mbrëmjen e sotme. Ai ra pre e një atentati me tritol, teksa udhëtonte me automjetin e llojit Mercedez Benz, të tipit “A Class”. Bashkë me të kanë mbetur edhe dy persona të tjerë të plagosur, të cilët ndodheshin rastësisht pranë mjetit kur ndodhi ngjarja.