Detaje të reja kanë dalë në dritë nga atentati i ndodhur katër ditë më parë në Pogradec, ku mbeti i plagosur me armë zjarri B.S. Hetimet paraprake kanë zbuluar se disa ditë para ngjarjes, dy persona, të identifikuar si vëllezërit Nikolla dhe E.A., dyshohet se kishin vendosur një kamerë pranë burgut të sigurisë së lartë në Drenovë për të monitoruar lëvizjet e objektivit.
Sipas burimeve hetimore, rreth katër ditë më parë policia konstatoi një kamerë të instaluar në një nga plepat përgjatë rrugës që të çon drejt burgut të Drenovës. Pas informacionit të siguruar nga Komisariati i Korçës, efektivët lokalizuan pajisjen dhe nisën hetimet për identifikimin e personave që e kishin vendosur.
Nga këqyrja e pamjeve filmike janë identifikuar vëllezërit Nikolla dhe E.A., të cilët dyshohet se kishin instaluar kamerën për të vëzhguar lëvizjet në zonë. Sipas hetimeve, synimi ishte monitorimi i B.S., në mënyrë që ai të sulmohej në momentin kur do të shkonte për të takuar vëllain e tij, S.S., i cili ndodhet në burg duke vuajtur dënimin për plagosjen me thikë të N.A. në një berberhane. Hetuesit dyshojnë se ngjarja lidhet me motive hakmarrjeje.
Për atentatin në Pogradec, N.A. u arrestua vetëm pak minuta pasi dyshohet se qëlloi disa herë me armë zjarri ndaj B.S. Në pranga përfundoi edhe D.P., ndërsa E.A. dhe M.B. janë shpallur në kërkim.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa operacionet për lokalizimin dhe arrestimin e E.A. dhe M.B. janë ende në zhvillim.
