Dom Gjergj META
Sot kalova nëpër Dioqezën e lashtë të Lisit në Mat (Dioecesis Lisiense) e që
tani është pjesë e Dioqezës së Rrëshenit.
Ja si shprehet për gjeografinë, njerëzit dhe situatën kishtare të kësaj dioqeze
Ipeshkëvi i Albanit Imzot Mark Skura në vitin 1640: “Kisha [Dioqeza] e
Lisit [gjendet] në Malet e Maqedonisë mbi Kurbin, 20 milje nga Kruja dhe
Kurbini, ku jetojnë njerëz të krishterë që nuk i paguajnë taksë turkut, njerëz
shumë të egjër, e një pjesë e tyre jetojnë në sajë të plaçkitjes dhe grabitjeve
e sendeve që ua marrin turqve e atyre të krishterëve që kanë të mira të
patundshme. Kisha ka emrin e Shën Marisë dhe gjendet në fshatin Pleshë rreth 4
milje larg nga Lisi, sepse kur u mor Maqedonia nga Turqit, selia e Ipeshkëvit u
lëviz në këtë kishë që tani është [kishë] famullitare e drejtuar nga Dom Gjon
(ose Gjergj) Gasta dhe ka 30 shtëpi të krishtera”.
Synimi im sot ishte të shkoja te obelisku i ngritur për të kujtuar formulën e
Pagëzimit, dokumentin e parë të Gjuhës Shqipe.
Në rrugën për Shëlli (Shën Elia, një toponim i shpeshtë në zonën Dibër, Mat,
Mirditë), menjëherë pas fshatit të bukur Lis, një djalë i vendit, shumë i sjellshëm
e me pamje fisnike, na tregoi rrugën për të dalë në Qafkishë të Macukullit.
Rruga ishte shumë e vështirë, por panorama e mrekullueshme. Kaluam nëpër
fshatin Vig, e n’anë të djathtë shihej krejt poshtë pothuaj në greminë fshati
Vinjoll, por njerëz s’pamë askund rrugës.
Pas 30 minutash me makinë nga Lisi mbërritëm në atë shkrep ku dikush ka
identifikuar mbajtjen e Kuvendit kishtar të Matit (1462), në Kishën e shën
Trinisë. Aty nuk kishte gjurmë të mundshme kishe, madje as banimi, por toponimi
ishte ai: Qafkishë. Me shumë gjasa ajo Kishë e famshme e Trinisë, për
vendodhjen e së cilës janë rragatur disa studjues, duhet të jetë diku në afërsi
të Macukullit, që prej aty nuk është shumë larg. Brenda në Macukull na
dëshmohet një kishë me këtë emër nga relatori Skura: “Kisha e Trinisë
tejet të shenjtë që gjendet në Fshatin Macukull. [Kishë] famullitare e drejtuar
nga dom Gjon Arelli, shtëpi të krishtera 150, turke [myslimane] 50.”
Prej aty ku është Obelisku shihej krejt lugina e Matit e pjesë të Mirditës.
Edhe pse kishte mjegull pamja ishte mistike.
Nga aty zbritëm, nëpërmjet një fshati fantazmë, me kulla të braktisura, drejt
Macukullit. Në relacionet e Mark Skurës Macukulli ishte ende me fshatra e
familje të krishtera, e jemi në vitin 1640. Edhe aty tani vetëm shkretim, kulla
të braktisura. Aty-këtu ndonjë dritë e ndezur e ndonjë bari. Në dalje të
Macukullit këmbehemi me një kamion e vazhdojmë rrugën për në Dukagjin. Nisin
pikat e para të shiut e muzgu nis e bjen.
Ndalemi te shkolla e Dukagjinit të Matit, aty ku mendohet së është mbajtur
Kuvendi tjetër i Matit, 1601, për një aleancë kundër invazionit turk. Përveç
një lapidari asgjë tjetër që kujton ngjarjen. Aty flitet për një Abaci të
Sh’Llezhdrit, këtij shenjti të legjionit të Tebes shek III, shumë i njohur dhe me
devocion të përhapur në krejt zonën, por gjurmë nuk ka. Arkeologjia nuk e ka
ndjekur historinë në këto zona.
Nata po bie e muzgu na thotë se duhet të nxitojmë. Zbresim drejt Shqefnit
(Shtjefnit) e më pas në Derjan. Kulla të bukura e pak më shumë jetë. Kuptohet,
sepse jemi në asfalt. I kemi rënë rrumbullak e dalim përsëri në rrugën kryesore
për të zbritur drejt Urakës, Perlatit, Prosekut e më në fund Rrëshenit.
Ndjeva një lloj emocioni të veçantë duke kaluar në ato vende ku shekuj më parë
kanë shkelur Imzot Pal Engjëlli e Imzot Mark Skura e ndoshta asnjë tjetër pas
tyre.
Këtë herë ishte një udhëtim i shkurtër, tre orësh, në një të premte krezhmesh
kur zakonisht nëpër Kisha kremtohet Udha e Kryqit. Në mendjen e në zemrën time
e përjetova ashtu edhe pse nuk ia thashë bashkëudhëtarit tim.
Dom Gjergji