Australia ka konfirmuar rastin e parë të gripit të shpendëve te një gjitar, pasi një fokë me hundë të gjatë, e gjetur në Australinë Jugore, rezultoi pozitive me virusin.
Ministrja Federale e Bujqësisë, Julie Collins, tha se foka u gjet në Beachport, rreth 300 kilometra në jug të Adelaide-s. Sipas saj, bëhet fjalë për një zhvillim shqetësues, por jo të papritur, veçanërisht në zonat ku ka përhapje të lartë të virusit te zogjtë e egër.
Collins tha se infektimi i fokës ka të ngjarë të ketë ardhur nga kontakti me zogj të egër të infektuar ose nga mjedisi i përbashkët. Autoritetet nuk kanë gjetur deri tani lidhje mes këtij rasti dhe ndonjë gjitari tjetër detar të sëmurë apo të ngordhur.
Që prej shpërthimit të gripit të shpendëve, në Australi janë konfirmuar 298 raste pozitive me virusin H5, ndërsa 194 prej tyre janë regjistruar në Australinë Jugore.
Ministrja Collins theksoi se deri tani nuk ka prova për praninë e virusit në sistemet australiane të shpendëve apo në sektorin bujqësor.
