Austria synon të aplikojë një ligj të ri kundër korrupsionit pas një skandali që përfshiu një politikan të Partisë së Lirisë së ekstremit të djathtë (FPÖ), i cili çoi në rënien e qeverisë në 2019.
“Projektligji kundër korrupsionit, i cili tani po kalon në një rishikim tetëjavor, është më i rrepti në botë”, njoftoi sot ministrja e Kushtetutës, Karoline Edtstadler, në Vjenë.
“Zyrtarët publikë në të ardhmen do të përballen me procedura ligjore nëse kanë marrë ryshfete në rolin e tyre si kandidatë. Ky do të shihej si një rast “korrupsioni paraprakisht”, tha ministrja e Drejtësisë Alma Zadiç.
Në video regjistrimin sekret të marrë në Ibiza në vitin 2019, ish-udhëheqësi i populistit të djathtë FPÖ, Heinz-Christian Strache, i kishte premtuar mbesës së një oligarku kontrata të ardhshme shtetërore në këmbim të mbështetjes së partisë së tij.
Duke qenë se ai ishte ende në opozitë në kohën e regjistrimit të videos dhe nuk ishte në gjendje të plotësonte kërkesat, këto deklarata nuk ishin vepër penale.