Një 48-vjeçar është vënë në pranga nga policia e Durrësit si autor i gjashtë vjedhjeve.
Sipas burimeve zyrtare, një ditë më parë në Sukth Luigj Mrushaj është kapur duke tentuar t’i vjedhë me anë të mashtrimit shumën prej 60.000 lekë të reja, shtetasit P. Z. (pronar i një karrotreci).
Ky shtetas realizonte skemën e mashtrimit duke telefonuar pronarët e karrotrecave me pretekstin se kishte automjetin e prishur, më pas i kërkonte para atyre për të paguar servisin dhe pasi i merrte largohej me shpejtësi.
NJOFTIMI
Durrës
Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjeve.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Karrotreci”.
Arrestohet në flagrancë një 48-vjeçar që kryente vjedhje me anë mashtrimit, i dënuar më parë për të njëjtën vepër penale.
Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale automjeti me të cilin ky shtetas largohej pasi kryente vjedhjet.
Zbardhen dhe dokumentohen 5 vjedhje të ndodhura më parë në qytetin e Durrësit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Karrotreci”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi L. M., 48 vjeç, banues në Tropojë, i dënuar disa herë për veprën penale “Vjedhja me anë të mashtrimit”.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi ditën e djeshme, në Sukth, Durrës, rreth orës 16:00, është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, duke tentuar t’i vjedhë me anë të mashtrimit shumën prej 60.000 lekë të reja, shtetasit P. Z. (pronar i një karrotreci).
Ky shtetas realizonte skemën e mashtrimit duke telefonuar pronarët e karrotrecave me pretekstin se kishte automjetin e prishur, më pas i kërkonte para atyre për të paguar servisin dhe pasi i merrte largohej me shpejtësi.
Nga hetimet e kryera rezultoi se shtetasi L. M. është autor i dyshuar i 5 vjedhjeve të ndodhura më parë, konkretisht:
Më datë 27.02.2021, me anë të mashtrimit i ka vjedhur shumën prej 600 euro, shtetasit E. Ç.;
Më datë 18.03.2021, me anë të mashtrimit i ka vjedhur shumën prej 65.000 lekë, shtetasit A. P.;
Më datë 18.04.2021, me anë të mashtrimit i ka vjedhur shumën 800 euro, shtetasit P. P.
Më datë 18.07.2021, me anë të mashtrimit i ka vjedhur shumën 700 euro, shtetasit A. G.;
Më datë 21.07.2021, me anë të mashtrimit i ka vjedhur shumën prej 500 euro, shtetasit S. M.;
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti tip “Benz” që ky shtetas e përdorte për t’u larguar pasi merrte paratë e përfituara, të cilin e kishte braktisur në Sukth, Durrës.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
