Nisi e gjitha nga një falenderim drejt një fansi në rrjetet sociale… Bëhet fjalë për Edinson Kavani i cili pasi shënoi një dygolësh në fitoren 3-2 të Mançester Junajtid ndaj Sauthampton në datën 29 nëntor, shprehu të gjithë lumturinë në rrjetet sociale.
Uruguajinit i erdhën shumë urime, ndërsa vetë sulmuesi i kthen mesazh falenderues njërit prej tyre, por duke përdorur termin “negrito”. Diçka që në Amerikën Latine nuk e kanë për ofendim, megjithatë kjo është një temë që trajtohet ndryshe në Angli. Kështu, pavarësisht se 33-vjeçari e fshiu menjëherë postimin, kërkoi falje, ndërsa edhe Junajtid siguroi se në fjalët e futbollistit të tyre nuk kishte asgjë raciste, sërish Federata e ka shpallur fajtor Kavanin duke ia cilësuar përgjigjen si fyese. Ndërkohë, nga ana tjetër, Junajtid është njohur me vendimin e Federatës dhe pritet që nëpërmjet rrugëve zyrtare t’i përgjigjet.
Tashmë, futbollisti rrezikon një pezullim të gjatë, ose në rastin më të mirë një gjobë të majme. Kjo mbetet për t’u parë, megjithatë me siguri nuk është kjo ajo çfarë Kavani kishte ëndërruar kur u transferua te Mançester Junajtid.
