Geoffrey Roberts, avokat i Rexhep Selimit, ish-anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, hodhi poshtë që në nisje të fjalës së tij akuzat e ngritura nga Prokuroria Speciale e Hagës.
“Selimi është tërësisht i pafajshëm për secilën prej krimeve të pretenduara në aktakuzë. ZPS-ja thjesht nuk ka arritur që të përmbushë detyrimin e saj për të vërtetuar asnjërën prej këtyre krimeve të pretenduara përtej dyshimit të arsyeshëm”.
Sipas Roberts, nuk ka ekzistuar asnjëherë ndonjë Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale në të cilën të kenë bërë pjesë Rexhep Selimi apo edhe bashkëpunëtorët e tij Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi.
“Dua të them shumë qartë që në fillim se nuk ka ekzistuar ndonjë Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale në të cilën ishte i përfshirë Selimi apo bashkë të akuzuarit e tij, në asnjë moment të periudhës së aktakuzës. Kjo është kështu, ka qenë dhe mbetet”.
Akuzat e ngritura nga Prokuroria Speciale i quajti fyese dhe poshtëruese, pasi sipas tij, lufta e UÇK-së ishte për lirinë e vendit dhe jo për interesa personale.
“Objektivi kriminal është vënë në qendër të provave të Prokurorisë. Nga teoria e saj duket se ky ka qenë qëllimi kryesor i të akuzuarve, përfshirë edhe Selimin, dhe jo çlirimi i popullit të tyre të shtypur, por thjesht një synim për të kapur pushtetin në mënyrë egoiste. Nëse do besohet kjo teori, zoti Selimi dhe bashkë të akuzuarit e tij jo vetëm që kanë arritur të shmangin atë që Adem Jashari bëri, por gjithashtu kanë arritur të manipulojnë dhe mashtrojnë mijëra vullnetarë të cilët kanë rrezikuar dhe në shumë raste kanë dhënë jetën e tyre duke luftuar për UÇK-në”.
Gjykatës i kërkoi të ishte i drejtë dhe të mos marrë për bazë pretendime të pabaza, pasi prokuroria nuk solli asnjë provë për të vërtetuar pretendimet e saj.
