Avokati Plarent Ndreca ka kundërshtuar Udhëzimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Rregulloren e re të Sigurisë së Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), duke i kërkuar Dhomës Kombëtare të Avokatisë të ndërhyjë institucionalisht kundër tyre.
Sipas Ndrecës, këto akte vendosin kufizime që prekin ushtrimin e profesionit të avokatit, lirinë e medias dhe transparencën e proceseve gjyqësore, raporton gazetarja Anila Hoxha.
Në Memorandumin nr. 2, ai argumenton se, për herë të parë, po vendosen kufizime që nuk janë parashikuar nga ligjvënësi, por po krijohen përmes akteve administrative të organeve të qeverisjes së sistemit gjyqësor dhe administratës së gjykatave.
Ndreca i kërkon Dhomës Kombëtare të Avokatisë të ndërmarrë veprime konkrete, përfshirë paraqitjen e një padie në Gjykatën Administrative për konstatimin e pavlefshmërisë absolute të këtyre akteve, si edhe pezullimin e zbatimit të tyre.
Reagimi i tij vjen pas publikimit të rregullores së re të GJKKO-së dhe komentit të zv.kryetarit të Gjykatës së Posaçme, Erion Bani, në ditën e fundit të punës së gjykatës, më 31 korrik. Sipas njoftimit zyrtar, rregullorja e re do të hyjë në fuqi më 1 shtator.
Deri më tani kanë reaguar edhe dy organizata të medias, Asociacioni i Gazetarëve Shqiptarë dhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, të cilat e kanë kritikuar rregulloren.
I kontaktuar nga gazetarja Anila Hoxha, kryetari i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, prof. dr. Maksim Haxhia, tha se është njohur me përmbajtjen e rregullores vetëm përmes raportimeve mediatike.
“Na i kanë vendosur në dispozicion zyrtarisht, por nëse kjo rregullore është e tillë, konstatoj se është përgatitur në mungesë të plotë transparence dhe është publikuar gjatë marrjes së pushimeve. Ditën e parë të shtatorit do të thërras strukturat e avokatisë dhe, sapo Dhoma të njihet zyrtarisht me rregulloren, do të vendosim se çfarë veprimesh do të ndërmarrim për një rregullore që cenon punën e avokatëve. Personalisht jam për masën ekstreme, që është bojkoti, por do ta vendosim në shtator”, u shpreh Haxhia.
