Avokati i Popullit, Igli Totozani, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, 1 Maji, kërkon më shumë vëmendje nga autoritetet lidhur me përmirësimin e kushteve të punës e vecanërisht për sektorët më të vështirë. Po ashtu, ai i ka bërë thirrje drejtuesve të institucioneve të intensifikojnë monitorimet dhe kontrollet, si dhe të ofrojnë zgjidhje konkrete për të ndalur shfrytëzimin e të miturve në punë të vështira, siç është rasti i fëmijëve në Bulqizë që për shkak të varfërisë detyrohen të mbledhin krom në mal.
Totozani thekson se pavarësisht masave të marra deri tani, duhet bërë më shumë edhe për ndalimin e punës në “të zezë” apo të punës pa sigurime shoqërore e shëndetësore, fenomen ky që barasvlerëson me zero kontributin e individit, duke sjellë pasoja të rënda financiare për të ardhmen.
Sipas Avokatit të Popullit, drejtuesit e institucioneve dhe vendimmarrësit duhet të fokusojnë vëmendjen në drejtim të punësimit, e sidomos të krijimit të më shumë hapësirave për të rinjtë, të sapodiplomuarit që kanë nevojë për mbështetje dhe eksperiencë.
“Në ditën ndërkombëtare të punëtorëve është momenti për të kërkuar zbatimin e ligjit për punësimin e personave me aftësi të kufizuara, por edhe të krijimit të më shumë mundësive të trajnimit dhe përfshirjes në skemat e punësimit të grupeve vulnerabël, në mënyrë që edhe këta qytetarë të gjejnë veten përmes punës dhe të ndërtojnë të ardhme të sigurta dhe të qëndrueshme për veten dhe familjet e tyre. Mbështetje dhe ndihmë më e madhe duhet dhënë për fuqizimin e gruas përmes punësimit, pasi mundësitë ekonomike më të mëdha për to shndërrohen edhe në një element mbrojtës nga dhuna në familje.”, -tha ai.
Një rëndësi të veçantë në këtë ditë , thekson Totozani, merr edhe garantimi e respektimi i marrëdhënieve korrekte në punë, në respekt të plotë të ligjit. Shkëputja e marrëdhënieve të punës në mënyrë të padrejtë, përbën shkelje të të drejtave të njeriut, por është edhe abuzim me detyrën.
“Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve mbetet një moment frymëzimi për të gjithë, për të treguar guxim dhe vendosmëri në kërkesat për respektimin e të drejtës së punës, e të drejtës për një jetë më të mirë”, shprehet Avokati i Popullit, Totozani./TiaranNews/