Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca është e ftuara e parë e emisionit “Gjurmë” nga Edlira Prendi, ku tregon me detaje për situatën ku jemi me të drejtat politike në vend. Ajo veçon të drejtën e protestës dhe të drejtën e votës si dy fushat ku ende ka probleme. Ballanca thekson se Shqipëria duhet të bëjë zgjedhje të lira, rezultati i të cilave të pranohet nga të gjitha palët.
“Përsa i përket të drejtave politike apo të drejtave që lidhen më ushtrimin e lirë të të drejtës së protestës apo të drejtës së votës, ka probleme jo të vogla, që unë besoj se duhet të adresohen. Por nuk janë probleme unike vetëm për Shqipërinë. Ato duhet të adresohen qartë, në mënyrë të veçantë pjesa që Shqipëria duhet të bëjë zgjedhje të lira, të cilat të jenë të pranuara më tej nga palët. Mospranimi i rezultatit të zgjedhjeve edhe nëse ka pasur probleme apo jo, edhe nëse ështe i drejtë, është një nga problemet thelbësore që ne kemi në krijimin e këtij mosbesimi të tmerrshëm ndaj asaj që kemi, shtetit tonë, dhe asaj që realisht duhet të përjetojmë në jetën tonë,” vë në dukje Avokatja e Popullit.
Ballanca ka një kritikë edhe për qytetarët të cilët nuk e shohin votën si një moment për të ndryshuar të ardhmen, por si një moment për të marrë një përfitim personal. “Unë e kam pasur gjithmonë një shqetësim shumë të madh që ne jemi kthyer në një vend, ku sa herë ndodhin zgjedhjet në vend, gjëja që kërkohet është një përfitim imediat personal. Tashmë populli kërkon domosdoshmërisht nga forcat politike ose sigurimin e një vendi pune, ose sigurimin e një benefiti tjetër dhe nuk shikojnë më idealin; dhe që fakti pse unë votoj për një forcë të caktuar politike është se unë besoj që ajo do ta drejtojë vendin më mirë dhe në makro do të sjellë një përmirësim të jetës në vend. Shqiptarët kanë 3 apo 4 zgjedhje që kane filluar dhe mendojnë vetëm në një narrativë të vogël, të një përfitimi individual të vogël dhe kjo besoj ka qenë një nga shkaqet kryesore që kanë rrënuar demokracinë në vend. Vota nuk është dhënë për përfitime të vogla personale por për të votuar alternativën më të mirë. Kështu që besoj se kjo ka nevojë të adresohet tek të gjithë shqiptarët që të kuptohet qëllimi thelbësor.Jam e bindur që shumë njerëz do të jenë refraktarë ndaj kësaj që po dëgjojnë por ama është e rëndësishme që ne ta shohim ne sy kritik edhe veten; edhe unë veten time, edhe qytetarët veten e tyre se cila është pjesa që ata kanë në krijimin e kësaj situate që ekziston në Shqipëri me zgjedhjet; që nuk bindemi me rezultatin e zgjedhjeve dhe nuk arrijmë as të kemi besim për shkaqe shumë të arsyeshme dhe kjo sjell një situatë që përsëritet në negativitet dhe kemi humbur totalisht besimin se në Shqipëri mund ndryshimi mund të vijë ndryshimi me zgjedhje,” sqaroi Erinda Ballanca.
Ballanca ka një kritikë edhe për klasën politike. “Nëse ne në çdo moment, për çfarëdolloj avancimi me konsensus i japim një konotacion negativ e quajmë pazar, nuk e pranojmë, pasi e bëjme e anatemojmë, nuk do të ecim përpara si shoqëri. Bashkimi Evropian dhe politia e vendeve të Bashkimit Evropian është pikërisht politika e konsensusit. Ti sot arrin diçka, do të arrish nesër diçka tjetër, por jo pse nuk arrita gjithçka që sot të mos e arrij fare atë marrëveshjen që duhet, apo të mos avancoj fare në një çështje të caktuar. Unë mendoj se ka nevojë për një ndryshim në qasje edhe përsa u përket të drejtave. Dhe ajo që është më e rëndësishme ka nevojë për një ndryshim në qasje për të pranuar ato që janë pozitive në vendin tonë, avancimin pozitiv që kemi pasur dhe sigurisht për të kërkuar një përmirësim në shumë e shumë fusha dhe aspekte të jetës tonë. Por fillon nga ne. Ne duhet të besojmë më shumë, dhe duhet të përpiqemi të luftojmë vetë, të jemi pjesë e ndryshimit, pjesë e përmirësimit, për ta çuar diçka përpara,” theksoi Avokatja e Popullit.
Krahasimi i fortë i Erinda Ballancës për të drejtat e njeriut. “Ajo që ne mendojmë se duhet të jenë të drejtat tona, të cilat ekzistojnë në perëndim është e njëjtë me ndjesinë e zhgënjimit kur shkuam e pamë vetë Italinë të cilën më parë e kishim njohur vetëm nëpërmjet programeve të RAI-t.”
Avokatja e Popullit Erinda Ballanca shpjegon në “Gjurmë” se garantimi i të drejtave të njeriut është një sfidë që nuk mbaron me vendosjen e tyre në Kushtetutë, por aty nis. Sipas Ballances edhe në Evropë ka sfida e përpjekje për t’i bërë këto të drejta efektive, dhe Shqipëria nuk është i vetmi që ka probleme.
“Nëse një e drejtë është e parashikuar në Kushtetutë, secili prej nesh, edhe unë kur kam qenë në fakultetin e drejtësisë më kanë mësuar se ajo është një e drejtë e padiskutueshme, dhe se lufta e qytetarëve me shtetin është të mos guxojë t’ia heqë këtë të drejtë që i është njohur me Kushtetutë. Ndërkohë kuptimi i përgjithshëm i të gjithë botës, po them Evropën e Bashkimin Evropian, është se këto të drejta janë aty se janë aspiratat tona per liri dhe demokraci. Pra, nuk është e thënë domosdoshmërisht që këto janë të drejta të garantuara, por janë të drejta që ne i kemi si një vend ku duam të arrijmë, si një objektiv që duam ta arrijmë dhe çdo përpjekje e jona do të bëhet për të arritur këtë objektiv. Kjo sjell në realitetin shqiptar, së bashku me nivelin e lartë të mosbesimit që kemi, dhe nga matjet del që kjo është e vërtetë, një palumturi dhe pakënaqësi shumë të madhe në popull për atë që mendojmë se ekziston në perëndim dhe që ne nuk e kemi,” tregon Erinda Ballanca.
Ballanca përdor edhe një krahasim të fortë per të shpjeguar se edhe në Evropë bëhen çdo ditë beteja për të garantuar të drejtat e njeriut. “Në fushën e të drejtave të njeriut, kjo është pak e fortë, por unë kështu e mendoj dhe kush e mendon ndryshe sigurisht mund të më kundërshtojë, më vjen shumë keq ta them. Ajo që ne mendojmë se duhet të jenë të drejat tona apo të drejta që ekzistojnë në perëndim, janë pak a shumë si ai zhënjimi që ne kemi pasur pasi shikonim realitetin italian nëpërmjet syve të Rait dhe të programeve të Rait. Kur shkuam dhe pamë Italinë si ishte kuptuam që nuk ishte në fakt ai realitet, që jeta në Itali nuk ishte jeta që ne shikonim nëpërmjet syve të emisioneve të Rait. Prandaj them që edhe çështja e të drejtave të njeriut është kështu, kudo ka sfida, sfida të vazhdueshme dhe do të vazhdojnë të mbeten. Nuk jemi vetëm ne vendi që nuk zbaton vendimet e GJEDNJ, ka edhe shumë vende të tjera që nuk i zbatojnë, por ama ne në çdo moment duhet të ushtrojmë presion të mjaftueshëm ndaj qeverisë tonë, ndaj parlamentit tonë që të drejtat të jenë efektive,” sqaron Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca.
Erinda Ballanca tregon si e njohu babain që e humbi kur ishte fëmijë nëpërmjet shkrimeve dhe librave: Romani “Nomeja e Largët” është një libër befasues që na jep një Shqipëri tjetër.
“Im atë ka qenë një nga ato kolonat shumë të rëndesishme të jetës sime, apo ndikuesi thelbësor në jetën time, pa qenë prezent. Unë e kam humbur babain kur kam qenë vetëm 3 vjeç e gjysëm, kështu që unë e kam njohur nëpërmjet mënyrës se si ka shkruar, nëpërmjet thënieve të njerëzve te tjerë, nëpërmjet asaj që ai ka qenë dhe modelit që ai ka dhënë; një shkrimtar dhe gazetar i shkëlqyer që në atë moshë aq të re arriti të linte kaq shumë tekste; qoftë krijmtari në publicistikë ashtu edhe në tregimin e shkurtër, dhe në këtë roman. Ky roman nuk u botua sa babi ishte gjallë dhe në fakt ka qenë një nga arsyet kryesore të një pakënaqësie shumë të madhe që ai kishte me botën. Romani u botua vite më vonë për here të parë kur unë kam qenë në klasën e 7. Kështu që kuptohet kishin kaluar shumë vite, u rimor sepse situata politike kishte filluar të ndryshonte, vendi filloi të hapej dhe ata që ishin miqtë e tim eti, kolegët e tij e konsideronin si një premtim që duhej ta mbanin për të pasi libri ishte vërtet i shkëlqyer,” rrëfen në “Gjurmë”.
Për avokaten Ballanca ky roman dhe e gjithë krijmtaria e babait të saj tregon se ai ishte një gjeni i letrave shqipe. “Unë jam shumë kritike në lexim, edhe kur janë gjërat e njerëzve të mi. Dhe jam përpjekur vazhdimisht të mos them që duhet lexuar vetëm sepse është libri i babit tim. E kam lexuar duke u munduar të isha krejtësisht kritike dhe them që është një nga tekstet më interesante të kohës së komunizmit, i shkruar në fillim të viteve 70, dhe që është edhe sot tërësisht real. Pra nëse ne e marrim dhe e lexojmë këtë librin sot mund të duket sikur është shkruar përpara 4 viteve, 7 viteve, 10 viteve; në te gjitha rastet. Pra sa herë që e lexon e gjen shumë të freskët në kohë. Është një libër tërësisht befasues me një kolorit të jashtëzakonshëm që na jep një Shqipëri tjetër, e cila në atë ngërthimin e realiteteve të asaj kohe, krijonte lidhjen me kujtimin harresën, problemin, jetën e fshatit, emancipimin, marrëdhëniet njerëzore. Kështu që nuk dua të them shumë më tepër sepse siç mund ta kuptoni kjo është një nga ato çështjet shumë emocionale për mua, por mund të them se në çdo gërmë që unë lexoj të atyre që im atë ka lënë, kuptohet në një moshë shumë të re, ai ka ikur kur ka qenë 32 vjeç, kështu që mund ta kuptoni sa i ri ka qenë; ka qenë një gjeni i letrave shqipe në gjithë kuptimin e vet. Dhe sigurisht humbja ime është katastrofike se humbja e njërit prej prindërve është katastrofa më e madhe që mund t’i ndodhë njerëzve; humbja nuk ka qenë vetëm e imja, humbja ka qenë edhe e letërsisë shqipe. Dhe çdokush që e lexon këtë libër të cilin ai e ka bërë në të 30 e kupton se çfarë potenciali ai do të kishte”.
Avokatja e Popullit Erinda Ballanca është një prej figurave më të njohura në fushën e së drejtës. Por për “Gjurmë” dhe gazetaren Edlira Prendi ajo ka rrëfyer se djali i saj, Erani, është më i rëndësishmi në jetën e saj.
“Mendoj se të qënit nënë, është dimensioni më i shkëlqyer i çdo gruaje që e ka fatin të jetë nënë dhe është dhe profesioniste. Pra midis profesionit dhe të qënit nënë unë çdo ditë të jetës sime do të zgjidhja të qënit nënë dhe këtë e them pa asnjë kufizim apo pa asnjë mendim se do të mund të ishte ndryshe. Jo, absolutisht!
Duhet ta them këtë gjë, në momentin që kemi vendosur me ish partnerin tim që të bënim një fëmijë ka qenë më shumë nxitja dhe insistimi i tij, unë kisha shumë frikëra përsonalisht. Kam qenë shumë e pavendosur, duke thënë a do të dua ta bëj, do të kem probleme me profesionin, çfarë do të bëj etj. Kam qenë 29 vjeç kur ka ardhur Erani dhe kisha këto dilemat e mia shumë të mëdha se më dukej sikur do të më kufizonte në jetën time profesionale. Në fakt i jam falenderuese për gjithë jetën ish partnerit tim për këtë sepse insistimi i tij më ka dhënë atë që është gjëja më e rëndëshime e jetës sime dhe për të cilin realisht, realisht, them çdo gjë vjen në rend të dytë. Edhe puna megjithë këtë pasionin tim shumë të madh për punën. Ridimensionohet, ndryshon qënia njerëzore në momentin që ti bëhesh nënë dhe shikon fëmijët e tu, çdo gjë tjetër vjen në rend të dytë,” tregon Erinda Ballanca.
Ballanca tregon edhe për kritikën e vetme që merr nga djali i saj. “Unë besoj se Erani është një djalë i cili jeton mirë me faktin që i ka prindërit profesionistë, nënën e ka një profesioniste që duhet të punojë, që ka kohën e saj për të punuar. E vetmja kritië që më bën në mënyrë të vazhdueshme, këtë ma bën në mënyrë konstante është se duhet të mendoj pak më shumë për veten dhe duhet të pushoj ndonjëherë. Dmth ai përpiqet të më thotë, “mam mos u lodh më kaq shumë se gjithçka që ti ke dashur të arrish në jetë e ke arritur”.
