Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca shpjegon në “Gjurmë” situatën me të drejtat politike në vend. Do të veçojë të drejtën e protestës dhe të drejtën e votës si dy fushat ku ende ka probleme. Ajo thekson se Shqipëria duhet të bëjë zgjedhje të lira, rezultati i të cilave të pranohet nga të gjitha palët.
“Përsa i përket të drejtave politike apo të drejtave që lidhen më ushtrimin e lirë të të drejtës së protestës apo të drejtës së votës, ka probleme jo të vogla, që unë besoj se duhet të adresohen. Por nuk janë probleme unike vetëm për Shqipërinë. Ato duhet të adresohen qartë, në mënyrë të veçantë pjesa që Shqipëria duhet të bëjë zgjedhje të lira, të cilat të jenë të pranuara më tej nga palët. Mospranimi i rezultatit të zgjedhjeve edhe nëse ka pasur probleme apo jo, edhe nëse ështe i drejtë, është një nga problemet thelbësore që ne kemi në krijimin e këtij mosbesimi të tmerrshëm ndaj asaj që kemi, shtetit tonë, dhe asaj që realisht duhet të përjetojmë në jetën tonë”,-vë në dukje Avokatja e Popullit.
Ballanca ka një kritikë edhe për qytetarët të cilët nuk e shohin votën si një moment për të ndryshuar të ardhmen, por si një moment për të marrë një përfitim personal.
“Unë e kam pasur gjithmonë një shqetësim shumë të madh që ne jemi kthyer në një vend, ku sa herë ndodhin zgjedhjet në vend, gjëja që kërkohet është një përfitim imediat personal. Tashmë populli kërkon domosdoshmërisht nga forcat politike ose sigurimin e një vendi pune, ose sigurimin e një benefiti tjetër dhe nuk shikojnë më idealin; dhe që fakti pse unë votoj për një forcë të caktuar politike është se unë besoj që ajo do ta drejtojë vendin më mirë dhe në makro do të sjellë një përmirësim të jetës në vend. Shqiptarët kanë 3 apo 4 zgjedhje që kane filluar dhe mendojnë vetëm në një narrativë të vogël, të një përfitimi individual të vogël dhe kjo besoj ka qenë një nga shkaqet kryesore që kanë rrënuar demokracinë në vend.
Vota nuk është dhënë për përfitime të vogla personale por për të votuar alternativën më të mirë. Kështu që besoj se kjo ka nevojë të adresohet tek të gjithë shqiptarët që të kuptohet qëllimi thelbësor.Jam e bindur që shumë njerëz do të jenë refraktarë ndaj kësaj që po dëgjojnë por ama është e rëndësishme që ne ta shohim ne sy kritik edhe veten; edhe unë veten time, edhe qytetarët veten e tyre se cila është pjesa që ata kanë në krijimin e kësaj situate që ekziston në Shqipëri me zgjedhjet; që nuk bindemi me rezultatin e zgjedhjeve dhe nuk arrijmë as të kemi besim për shkaqe shumë të arsyeshme dhe kjo sjell një situatë që përsëritet në negativitet dhe kemi humbur totalisht besimin se në Shqipëri mund ndryshimi mund të vijë ndryshimi me zgjedhje”,-sqaroi Erinda Ballanca
Ballanca ka një kritikë edhe për klasën politike. “Nëse ne në çdo moment, për çfarëdolloj avancimi me konsensus i japim një konotacion negativ e quajmë pazar, nuk e pranojmë, pasi e bëjme e anatemojmë, nuk do të ecim përpara si shoqëri. Bashkimi Evropian dhe politia e vendeve të Bashkimit Evropian është pikërisht politika e konsensusit. Ti sot arrin diçka, do të arrish nesër diçka tjetër, por jo pse nuk arrita gjithçka që sot të mos e arrij fare atë marrëveshjen që duhet, apo të mos avancoj fare në një çështje të caktuar.
Unë mendoj se ka nevojë për një ndryshim në qasje edhe përsa u përket të drejtave. Dhe ajo që është më e rëndësishme ka nevojë për një ndryshim në qasje për të pranuar ato që janë pozitive në vendin tonë, avancimin pozitiv që kemi pasur dhe sigurisht për të kërkuar një përmirësim në shumë e shumë fusha dhe aspekte të jetës tonë. Por fillon nga ne. Ne duhet të besojmë më shumë, dhe duhet të përpiqemi të luftojmë vetë, të jemi pjesë e ndryshimit, pjesë e përmirësimit, për ta çuar diçka përpara”,-theksoi Avokatja e Popullit.
