Lefterie Bushi, një e moshuar, që prej vitesh jeton në Itali, i ka dhënë me qira banesën e saj, 24 m2, afër burgut, Rovena Rekës. Kjo e fundit nuk del nga shtëpia, duke kërkuar të përvetësojë shtëpinë me anë të të atit, Zija Reka dhe avokatit. Rovena ka shkuar në emisionin “Stop”, pasi kërkon shtëpinë edhe pse Lefterie Bushi ka certifikatën e pronësisë.
Rovena kërkon shtëpinë edhe pse Lefterie Bushi ka certifikatën e pronësisë. Në një ballafaqim me zaptuesit e shtëpisë, këta të fundit shfaqen agresivë dhe kanë hapur një gjyq fiktiv, vetëm për të fituar kohë, me dokumenta të falsifikuara dhe librezat e ujit dhe dritave.
Gazetari: Këtu rri goca juaj zotëri. Po si e ka marrë këtë shtëpi? Ku e gjeti Rovena këtë shtëpi? Ia ka marrë zonjës?
Zija Reka: Këtë shtëpi e kam pasur unë.
Gazetari: Ti e ke pasur këtë shtëpi? E ka pasur zotëria këtë shtëpi?
Lefterie Bushi: Jo!
Gazetari: Po kur e ke pasur ti, si e ka nxjerrë hipotekën zonja?!
Zija Reka: E ça do me thënë ti me këtë?
Gazetari: Po pra, por ku ke hipotekë, je pronar…
Lefteria Bushi: Ja erdhi Rovena…
Gazetari: Si je? Këtë shtëpinë zonjë, si e ke përfituar?
Rovena Reka: E kam përfituar, në radhë të parë nuk jetoj unë këtu…
Gazetari: Po kush jeton?
Rovena Reka: Këtu jeton babi im.
Gazetari: Babai sa na tha jeton ti, tani…
Rovena Reka: A hy, a s’dal unë këtu, është puna ime.
Gazetari: Po a e di ti, që këtë shtëpi e ka zonja me hipotekë?
Rovena Reka: Pak më intereson mua. Le të shkojë, ku të dojë…!
Gazetari: Po si të shkojë, ku të dojë?! E ka me hipotekë.
Ne njoftuam komisariatin numër 3, që shkoi në vendngjarje, por nuk mundi të bëjë dot gjë, pasi për rastin nuk ka një vendim gjyqësor.
Gazetari: Zonja ka denoncuar në “Stop”, ka një ambient këtu 24 m2, me hipotekë dhe ia ka lënë me qira, pa dokumente.
Polici: Zotërisë në fjalë?
Gazetari: Ia ka lënë vajzës së zotërisë.
Polici: Pa dokumente?
Gazetari: Nuk kanë dokumente.
Polici drejtuar Zija Rekës: Ke ndonjë letër për këtë ti? Ke ndonjë letër, ndonjë gjë për të vërtetuar se…
Rovena Reka: Ja të shpjegoj pak unë, të shpjegoj se unë jam vajza e vetë. Unë jetoj tek prindërit… Ka nevojë t’i fikni o zotëri? Nuk ka nevojë për kamera! Të lutem shumë, unë prandaj iu largova juve. S’ka nevojë të më kapin me kamera fare mua ata. Vëlla i dashur fikni kamerat po ju them ose do ju bëjë kallëzim! Fikni kamerat!
Avokati Engjel Dylgjeri shpjegon situatën absurde të krijuar, nga e cila po e pëson sot zonja Lefterie Bushi. Ai u shpreh se vajza dhe i ati e kanë bërë kërkesë padinë në gjykatë, që të fitojnë më shumë kohë për të qëndruar në shtëpi.
Gazetari: Rovena ngre pretendimin që është pronare, është një proces gjyqësor. Çfarë është ky proces gjyqësor?
Engjel Dylgjeri: Situata është kështu: ka bërë një padi idiote që është e pabazuar në prova dhe në ligj, një padi e cila pretendon që ka 20 vjet që rrinë me qira në këtë shtëpi dhe kanë fituar me parashkrim fitues. Kërkesë padinë për në gjykatë, këto e kanë bërë për të fituar kohë për të ndenjur tek shtëpia, duke e ditur që është një padi me një këmbë në gropë.