Gjatë ceremonisë së posaçme të zhvilluar në Asamblenë Komunale të Gjilanit, presidenti Bajram Begaj shprehu mirënjohje për këtë nderim. Kreu i Shtetit deklaroi se e pranon me përulësi të jetë Nderi i Gjilanit, një qytet i traditës, historisë, sakrificës dhe qëndresës.
”Ky titull u përket të gjithë shqiptarëve, që në momentet më të vështira të historisë së Kosovës qëndruan pranë dhe krah jush, si pjesë e pandashme e një trungu të përbashkët”,-tha Begaj.
Kreu i Shtetit u zotua se Shqipëria ka qenë pranë Kosovës dhe bashku duhet ta shohin të ardhmen drejt BE.”Dy shtete, një komb, një gjuhë, një gjak. Është ADN-ja jonë. Ky është një privilegj shumë i madh, por është edhe një përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe”,-tha më tej presidenti.
Begaj theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit mes shqiptarëve në të dyja anët e kufirit dhe institucioneve përkatëse. Kjo për të ndërtuar një ekonomi të bashkuar, për të ndarë eksperiencat më të mira dhe për t’u ngritur bashkë si shqiptarë. Begaj kreu homazhe dhe mbajti një minutë heshtje edhe në Varrezat e Dëshmorëve të qytetit i shoqëruar nga familjet dhe shoqatat e të rënëve për liri.





